
SPANJË-Më shumë se 100 persona janë arrestuar në Spanjë, nën akuzën se kanë vjedhur mijëra euro nga përdoruesit e WhatsApp-it, duke pretenduar se janë të afërm në vështirësi. Mediat e huaja raportojnë se të arrestuarit akuzohen për mashtrimin e më shumë se 850,000 eurove nga 238 viktima duke përdorur metodën e mashtrimit pasi i kontaktuan ata përmes një mesazhi.
Mashtruesit paraqiteshin si një djalë në vështirësi financiare, i cili kërkonte para nga prindërit e tij dhe i detyronte viktimat të bënin transferta nga 800 deri në 55 mijë euro. Për momentin, vetëm në provincën e Alicante janë identifikuar 238 viktima dhe mashtruesit operonin në të gjithë vendin.
Në operacionin policor të quajtur Hiwaso, Garda Civile ka lokalizuar më shumë se 500 llogari bankare të subjekteve të ndryshme të përdorura nga të arrestuarit për të transferuar para nga mashtrimet. Janë analizuar gjithashtu më shumë se 100 linja telefonike që ishin regjistruar duke përdorur identitete të rreme për të kryer mashtrime përmes mesazheve celulare.
Të gjithë të arrestuarit po akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe për të qenit pjesë e një organizate kriminale./ZËRI