Bota

'Casa de Papel' versioni mafia! Klani Kavaç hap tunel, 'nëntoka' i çonte brenda Gjykatës së Lartë

Zbulimi i rrugës nëntokësore është bërë në të njëjtën ditë që Gjykata do të shqyrtonte çështjen e klanit kriminal Kavaç. 

k.m.
'Casa de Papel' versioni mafia! Klani Kavaç hap tunel,
Tuneli në Mal të Zi

MAL I ZI- "Casa de Papel" duket se ka qenë një inspirim për hapjen e një tuneli nëntokësor që të çonte në ambientet e Gjykatës së Lartë të Podgoricës. Lajmi është publikuar nga media vendase “Vijesti”, e cila e ka shoqëruar edhe me pamjet e tunelit, që është 30 metra i gjatë. Zbulimi i rrugës nëntokësore është bërë në të njëjtën ditë që Gjykata do të shqyrtonte çështjen e klanit kriminal Kavaç. 

Tuneli është hapur për maksimumi një muaj e gjysmë, ndërsa pikënisjen e ka nga një banesë e dhënë me qera, më konkretisht nga bodrumi i pallatit, përballë ndërtesës së gjykatës. Banesa është dhënë me qera që në muajin korrik, por besohet se aksioni për rrëmimin ka nisur në muajin gusht, ndërkohë që pjesa më e madhe e punonjësve në administratën shtetërore, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, ishin me pushime.

Qiramarrësit e banesës kanë përdorur dokumente false, ndërsa pronarët kur janë marrë në pyetje janë shprehur se nuk i njihnin personat, të cilëve u kishin dhënë banesën me qera. Ndërkohë që lajmi ka bërë bujë jo vetëm në Mal të Zi por edhe në mediat botërorë, kryeministri Dritan Abazoviç publikoi fotot zyrtare të qeverisë të tunelit që të çonte në depon e Gjykatës së Lartë ku mbahen provat. Madje u fut edhe vetë për të parë nga afër "skenën e krimit". Në fund, shtoi se beson që tuneli nuk mund të hapej pa ndihmësit e gjetur brenda Gjykatës. Por deri më tani, ende nuk ka një motivacion se përse është hapur tuneli dhe për çfarë do të përdorej. 

Kush është grupi "Kavaç"?

Grupi mafioz e kriminal tejet i rrezikshëm e bazën në Mal të Zi. Në krye të klanit “Kavçani” ishin Slobodan Kashçelan dhe Radoje Zvicer nga Kotori. I pari ndodhet aktualisht në paraburgimin në Mal të Zi për krijimin e një grupi kriminal dhe organizimin e disa vrasjeve. Radoje Zvicer “i ka shpëtuar arrestimit” dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar dhe dyshohet se fshihet në Amerikën e Jugut, ku mbrohet nga kartele të afërt me klanin Kavaç. Ky grup dyshohej se kishte pasur plan edhe për vrasjen e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Protokolli i shtetit i Malit të Zi para disa kohësh kishte gjithashtu në vëzhgim të veçantë edhe kryeministrin e vendit, Dritan Abazoviç, pasi kishte sinjale se grupi kriminal i Kavaçit, një prej dy grupeve më të mëdha në këtë vend, ka planifikuar vrasjen e tij.

Poll

MOS HUMB