SHBA- CNN mbetet sërish jashtë grupit të shtypit që ndjek presidentin Donald Trump. Rrjeti amerikan ishte caktuar të mbulonte udhëtimin e Trump në Teksas dhe Oklahoma, por Shtëpia e Bardhë e hoqi nga lista në momentin e fundit.
Sipas mediave të huaja në grupin e mediave që shoqëron presidentin mbeti vetëm Real America’s Voice. Rrjetet e tjera të mëdha televizive nuk pranuan të merrnin vendin e CNN-it.
Ky është përjashtimi i dytë i CNN brenda një jave. Pak ditë më parë rrjeti u la jashtë grupit të gazetarëve që udhëtuan me Trump në bordin e Air Force One.
Rasti i fundit vjen në një moment kur përplasja ligjore për aksesin e mediave në aktivitetet presidenciale vijon. Një gjykatës federal kishte rrëzuar dy ditë më parë vendimin e Shtëpisë së Bardhë që kufizonte aksesin e CNN, MS NOW dhe Politico.
Ndërkohë avokatët e tre mediave kanë kërkuar zgjatjen e vendimit gjyqësor. Pavarësisht kësaj, CNN është përjashtuar sërish nga grupi që mbulon aktivitetet e presidentit./ZËRI