
KIEV- Qytetarët ukrainas kanë dalë në mbështetje të Presidentit Volodymyr Zelenskyy, duke e cilësuar atë si një mbrojtës të interesave të vendit, pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe debateve me Presidentin Donald Trump. Debati që ndodhi gjatë takimit në Zyrën Ovale ka ngritur pikëpyetje mbi mbështetjen e ardhshme amerikane për Ukrainën në mes të luftës së saj me Rusinë. Por pavarësisht nga pasojat diplomatike, shumë ukrainas e mbështetën qëndrimin e vendosur të Presidentit Zelenskyy.
Zyrtarët në të gjithë Ukrainën vlerësuan qëndrueshmërinë e udhëheqësit të tyre, ndërsa disa paralajmëruan rrezikun e humbjes së mbështetjes kritike amerikane. Por gjatë, takimit dy dronë goditën qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, të premten në mbrëmje. Sulmi ndodhi menjëherë pasi kreu i rajonit që ndodhet në kufirin me Rusinë, Oleh Syniehubov, shprehu vlerësime për Presidentin Zelenskyy.
“Udhëheqësi ynë, pavarësisht trysnisë, qëndron i vendosur në mbrojtje të interesave të Ukrainës dhe ukrainasve. … Ne kemi nevojë vetëm për një paqe të drejtë me garanci sigurie”, tha Syniehubov.
Zyrtarë në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal po ashtu shprehën mbështetjen e tyre në rrjetet sociale për Presidentin Zelenskyy.
“Angazhim të palëkundur ndaj interesave të Ukrainës dhe përkushtim ndaj vendit të tij. Kjo është ajo që pamë sot në Shtetet e Bashkuara. Mbështetje për Presidentin e Ukrainës”, shkroi zëvendëskryeministri Oleksii Kuleba.
Megjithatë, jo të gjitha figurat politike të Ukrainës, shprehën mbështetje për mënyrën se si përfundoi takimi në Zyrën Ovale. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se shpresonte “që Ukraina nuk do të humbasë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, u shpreh ai.
“Sot nuk është koha për emocione, nga asnjëra palë. Ne duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët”, shkroi kryebashkiaku Klitschko në një postim në rrjetin Telegram.
Sidoqoftë, shumë ukrainas nuk u dukën të shqetësuar për përplasjen mes presidentëve duke mbështetur idenë se udhëheqësi ukrainas kishte mbrojtur dinjitetin dhe interesat e vendit të tij, duke mos lëvizur nga qëndrimi i tij përballë kritikave nga dy prej njerëzve më të fuqishëm në botë.
Në Kiev, pensionistja Nataliia Serhiienko, 67 vjeç, tha se mendonte se ukrainasit e mbështesin reagimin e presidentit të tyre në Uashington, “sepse Zelenskyy luftoi si një luan”.
“Ata patën një takim të tensionuar”, tha ajo. “Por Zelenskyy po mbronte interesat e Ukrainës”.
Banori i Kievit, Artem Vasyliev, 37 vjeç, tha se ishte “mungesë respekti” nga Shtetet e Bashkuara përplasja në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht faktit se Ukraina “ishte vendi i parë që i doli përballë Rusisë”./ZËRI