
VATIKAN- Kardinali Giovanni Angelo Becciu u shpall fajtor për përvetësim dhe manipulim të dëshmitarëve dhe u dënua me 5 vjet e gjashtë muaj. Angelo Becciu, i përfolur si "Papa i ardhshëm", është bërë figura e parë e rangut të lartë në Kishën Katolike që dënohet. Sipas aktakuzës, përvetësoi më shumë se 100,000 dollarë nëpërmjet një organizate jofitimprurëse, të cilën e drejtonte vëllai i tij.
75-vjeçari Becciu kishte shijuar një ngritje spektakolare në ranqe, duke i shërbyer tre Papëve. Gjon Pali II e quajti atë "nuncio ", pra përfaqësuesi i tij i akredituar dhe më pas e emëroi kryepeshkop. Benedikti fillimisht e kishte përfaqësues në Kubë, por në vitin 2011 ai e solli në Romë për të shërbyer si Zëvendës i Çështjeve të Përgjithshme.
Në 2018, Papa Françesku aktual e emëroi kardinal dhe e bëri kryetar të zyrës së Vatikanit që mbikëqyr kanonizimet, pra shpalljen e të krishterëve si shenjtorë. Ndaj edhe karriera e tij bëri që emri i tij të përflitet si kandidati më i mirë për t'u bërë Papa i ardhshëm. Ndërsa mbante postin e Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit, Angelo Becciu menaxhoi afërsisht 700 milionë dollarë në asete financiare.
Nëntë të tjerë u ulën në bankën e të akuzuarve së bashku me Becciun dhe u dënuan për dëmet e shkaktuara, por edhe për përvetësimin e parave nga besimtarët për të liruar një murgeshë të rrëmbyer, para që dyshohet se janë shpenzuar për pushime në resorte luksoze dhe mallra të blera tek Prada dhe Louis Vuitton.
Gjithsej 10 të pandehur u përballën me 78 akuza të veçanta të renditura në një aktakuzë prej 487 faqesh./ZËRI