
PRISHTINË- Afrim Bunjaku është polici i Kosovës, i cili ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Leposavçit. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Pikërisht në këtë shkëmbim zjarri ka ndërruar jetë efektivi. 50-vjeçari nga Samadrexha e Vushtrrisë, me pozicion reshter, prej vitesh ka shërbyer në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze, të mitur, ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore. Ndërsa vetëm një javë më parë kishte marrë një medalje mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës.
Fahri Shala, pjestar i Policisë së Kosovës ka bërë një postim në kujtim të rreshterit të vrarë, Afrim Bunjakut, ku edhe ka zbuluar momentet e tij të fundit në jetë.

POSTIMI I MIKUT TË TIJ:
Sot në oret e para të mengjesit derisa ishim duke i kryer detyrat zyrtare dhe ligjore së bashku me Rreshterin tim Afrim Bunjaku, nga kriminelet në mënyrë tinzare u sulmuam dhe në këtë rast u vra Rreshteri Afrim Bunjaku. Me trishtim të madh dhe zemër të thyer dëshirojmë të përshkruajmë ndjenjat e mia të thella të dhimbjes dhe humbjes për kolegun tonë të nderuar Rreshter Afrim Bunjaku. Ai la pas një ndikim të thellë jo vetëm në jetën tonë profesionale, por edhe në jetën tonë personale. Kolegu ynë Rreshter Afrim Bunjaku ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me një karakter të fortë dhe një përkushtim të paepur ndaj detyrës së tij. Ai punoi me përkushtim në detyrën zyrtare dhe solli një ndryshim të vërtetë në komunitetin tonë dhe në jetën e të tjerëve. Kujtimet me të janë të pafund, nga momentet e gëzueshme të bashkëpunimit profesional deri te kujtimet personale të ndarë me të gjatë rrugës sonë të përbashkët. Ai ishte një mik i vërtetë dhe një koleg i shkëlqyeshëm. Vrasja e tij është një humbje e madhe për familjen, kolegët dhe komunitetin në përgjithësi. Ne shprehim solidaritetin tonë me familjen e tij dhe ndjenjat tona më të ngrohta të ngushëllimeve. Ne besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që ata përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm do të gjenden dhe do të përballojnë ligjin. Kujtimi i kolegut tim Rreshter Afrim Bunjaku do të vazhdojë të jetë burim inspirimi për të gjithë ne që ndjejmë përgjegjësinë për të vazhduar detyrën tonë zyrtare me integritet dhe përkushtim. Le të kujtojmë dhe të nderojmë gjithmonë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën tonë dhe në detyrën tonë zyrtare. Ai do të mungojë shumë dhe kujtimi i tij do të mbetet gjallë përjetësisht në zemrat tona. Nuk mund te besoj se sot do te ishte ndarja dhe bisedat e fundit! Me respekt dhe dhimbje të thella!

Ndërkohë që familjarët e tij kanë shpërndarë parulla në Prishtinë, të cilat shkruajnë: Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri!
Çfarë ka ndodhur në Kosovë?
Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë reshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë. Deri tani janë vrarë 3 agresorë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Pas mbledhjes Kurti ka deklaruar se më shumë se 30 persona të armatosur – profesionist ushtarakë dhe policorë serbë – po mbahen të rrethuar në manastirin e Banjskës, mes tyre pretendon se ka edhe forca Wanger. Kurti iu bëri thirrje atyre që të dorëzohen, ndërsa Serbia ende hesht./Zëri.ai