
PRISHTINË- Komuna e Prishtinës është kthyer në një vend ku të gjithë mund të ndezin një qiri në nder të efektivit të Policisë së Kosovës, i cili humbi jetën gjatë orëve të para të mbrëmjes së sotme në Zveçan. Një foto me shirit të zi e Afrim Bunjakut është vendosur në komunën e Prishtinës, ku qytetarët janë mbledhur për të vendosur qirinj. Një prej tyre është edhe kreu i Komunës, Përparim Rama.

Në mesin e shumë qytetarëve të pranishëm ishin edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Çfarë ka ndodhur në Kosovë?
Kosova është tronditur mëngjesin e kësaj të diele nga një sulm terrorist, që grupe kriminale që dyshohet se janë të lidhura me Serbinë i kanë bërë punonjësve të policisë në Leposaviq. Si pasojë e sulmit me armë dhe me mjete të tjera shpërthyese mbeti i vrarë reshteri i policisë Afrim Bunjaku, dhe u lënduan dy efektivë të tjerë. Deri tani janë vrarë 3 agresorë. Presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj zyrtare në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Pas mbledhjes Kurti ka deklaruar se më shumë se 30 persona të armatosur – profesionist ushtarakë dhe policorë serbë – po mbahen të rrethuar në manastirin e Banjskës, mes tyre pretendon se ka edhe forca Wanger. Kurti iu bëri thirrje atyre që të dorëzohen, ndërsa Serbia ende hesht./Zëri.ai