
PODGORICË – Gjykata e Lartë në Malin e Zi ka liruar nga paraburgimi shtetasin serb Zhivko Vuksanoviç, 62 vjeç. Ekstradimin e këtij të fundit e ka kërkuar Kosova, pasi dyshohet për krime lufte.
Autoritetet malazeze kanë liruar edhe një tjetër serb, të dyshuar për krime lufte. Rel ka konfirmuar lirimin nga paraburgimi të Vuksanoviç.
Zhivko Vuksanoviç ishte në paraburgim në Malin e Zi, në pritje të vendimit të gjykatës, nëse duhet ose jo të ekstradohet në Kosovë.
Gjykata e Lartë e vendit vendosi më datë 27 tetor për ekstradimin e Vuksanoviç në Kosovë, por ish-ministri i Drejtësisë Marko Kovaç, refuzoi kërkesën për ekstradim.
Kovaç argumentoi se burgosja e serbit mund të jetë një përndjekje politike dhe se në atë rast, mund të jenë shkelur të drejtat e njeriut.
Edhe shtetasi i Kosovës Ilir Berisha, që u arrestua në Malin e Zi në fillim të nëntorit, është në pritje të vendimit të gjykatës, për ekstradim ose jo në Kosovë.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve të vendit dhe ndërkombëtare./Zëri.ai/