Bota

Të errëta dhe të frikshme, gjithçka duhet të dini për tunelet e Hamasit

Ekspertët e tuneleve shprehen se gërmimet nëntokësore të Hamasit janë të frikshme dhe vështirësisht të zbulueshme.

D.XH
Të errëta dhe të frikshme, gjithçka duhet të dini
Hamasi

GAZA - Faza tjetër e ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës ka filluar, me ushtrinë izraelite që ka filluar të lëvizë trupat dhe automjetet e blinduara në territorin palestinez.

Por pjesa më e madhe e luftës midis Izraelit dhe Hamasit, që qeveris Gazën, mund të zhvillohet jo në rrugët e territorit, por nën tokë, ku Hamasi besohet se ka ndërtuar një rrjet të përpunuar tunelesh. Grupi militant mendohet se ka fshehur pengjet, pikërisht në tunele nëntokësore.

Izraeli thotë se po godet qindra objektiva nëntokësore, pasi synon të eliminojë Hamasin. Tunelet kanë dhoma të vogla dhe shtrihen në më shumë se 300 milje e ndoshta në një thellësi prej më shumë se 200 metrash. I quajtur "Metroja e Gazës", Izraeli pretendon se labirinti i nëndheshëm është vendi ku Hamasi planifikon dhe kryen sulme.

"Tunelet nënokësore kanë rol thelbësor, për çdo gjë që Hamasi ka planifikuar të bëjë. Ata janë të ftohta, disi të errëta dhe ngjajnë të frikshme", tha Joel Roskin, një ekspert për tunelet e Gazës, i cili ka studiuar evolucionin e tyre gjatë gjysmë shekulli.

Të gërmuar me dorë dhe me mjete bazë, tunelet e hershme të ngushta u përdorën për të kontrabanduar mallra nga Egjipti kufitar. Më vonë, ato u përdorën për armë. Tani, tunelet janë modernizuar për sulm, janë pajisur me energji elektrike, linja telefonike dhe madje janë përforcuar me beton - dhe janë praktikisht të pazbulueshme.

"Gjeologjia e Rripit të Gazës është ideale për gërmimin dhe mirëmbajtjen e tuneleve, por është e vështirë t’i zbulosh ato”, tha Roskin, një profesor i gjeomorfologjisë në Universitetin Bar-Ilan në Izrael.

Ushtria izraelite thotë se shkatërrimi i Hamasit do të thotë shkatërrim i rrjetit të tuneleve, i cili përfshin boshte sulmi pranë kufirit Izrael-Gaza, boshte mbrojtëse më tej, qoshe ku mbahet artileria dhe tunele të lidhura me blloqe apartamentesh dhe spitale për arratisje.

Zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se Hamasi operon në spitalin Shifa - spitali më i madh i Gazës - dhe spitale të tjera në territor.

Hamasi, megjithatë, mohon se ka tunele në spitalin Shifa. Grupi militant palestinez thotë se po strehon 40,000 palestinezë të zhvendosur dhe po trajton të plagosurit dhe të pafuqishmit, pas sulmeve izraelite.

Amir Ulo, një kolonel rezervë izraelit, hyri për herë të parë në një tunel të Gazës në vitin 2007. Gjatë tre ditëve të fundit, Izraeli ka hedhur bomba në rrjetet e Hamasit, edhe pse pengjet besohet janë fshehur brenda tyre.

"Ne nuk po kërkojmë luftë, e patjetër do kemi edhe humbje. Ne po kërkojmë paqen. Por kur është koha për luftë, ne dimë të luftojmë. Dhe ne do të luftojmë dhe do triumfojmë", tha Ulo.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar konfliktin si një betejë për mbijetesën e Izraelit. Por familjet e pengjeve kanë frikë se të dashurit e tyre nuk do të dalin të gjallë prej tuneleve të Hamasit. Edhe bombardimet izraelite, mund të vrasin pengjet e grupit militant palestinez.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa forcat izraelite kanë nisur një ofensivë në Gaza. Më tepër se 10 mijë njerëz kanë vdekur, pas sulmeve të të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB