
ZVICËR- Apeli i Gjykatës Federale të Lozanës ka refuzuar kërkesën për lirimin e biznesmenit 41-vjeçar "Thomas", i cili pranoi vrasjen e gruas së tij modele, Kristina Joksimovic, shkurtin e kaluar në Binningen, pranë Bazelit.
Ajo ishte finaliste e Miss Zvicrës dhe nënë e dy fëmijëve. Siç u zbulua nga hetimi, ajo u vra nga bashkëshorti i saj. Modelja u mbyt, u copëtua me sharrë dhe gërshërë kopshti dhe më pas u bë pure në një blender.
Hetimi zbuloi gjithashtu se bashkëshorti i saj vuante nga sëmundje mendore. 41-vjeçari ka pranuar se e ka mbytur dhe copëtuar trupin e saj "në panik". Sipas tij, viktima e kishte sulmuar atë me një thikë, përpara se të ndodhte vrasja.

Megjithatë, një raport mjeko-ligjor hedh poshtë pretendimin e tij për vetëmbrojtje, raportojnë mediat vendase. "Më dukeshin si familja perfekte", tha një person që i njihte. Ndërkohë, një tjetër person tha se marrëdhënia e tyre kishte qenë "në krizë prej muajsh", dhe policia ishte thirrur edhe më parë në shtëpinë e tyre pas raportimeve për abuzim fizik. Hetuesit vunë në dukje "mungesën e ndjeshmërisë dhe gjakftohtësinë e tij pas vrasjes së gruas", teksa ai përpiqej të mbulonte krimin raportojnë mediat vendase.
Kristina, me origjinë nga Benningen, me rrënjë serbe, kishte hequr dorë nga modelingu për t'u përqendruar në "gjetjen dhe frymëzimin e modeleve të gjeneratës së re". Ajo gjithashtu u jepte mësim kandidateve të konkursit Miss Zvicra të ndiqnin hapat e saj./ ZËRI