
UKRAINË - Një zyrtar lokal rus ka konfirmuar vdekjen në aksion në Ukrainë të gjeneralmajorit, Vladimir Zavadsky. Guvernatori i Voronezhit, Alexander Gusev tha se gjeneralmajor Zavadsky, 45 vjeç, vdiq në krye të detyrës, por nuk dha detaje të mëtejshme. Të mërkurën u raportua se ai ishte hedhur në erë me një minë, por kishte raporte kontradiktore se ku ndodhi ngjarja.
Ai është gjenerali i shtatë rus që dihet se ka vdekur në konfliktin në Ukrainë. Gjeneral Major Zavadsky ishte zëvendës komandant i korpusit të 14-të të ushtrisë së Flotës Veriore në kohën e vdekjes së tij. Në një postim në telegram, Gusev tha se vdekja e tij ishte një humbje e rëndë dhe një dhimbje therëse. “Kudo që e dërgoi atdheu, ai dha një shembull përkushtimi ndaj detyrës. Ai u nderua në format më të larta”, tha ai.
Nga Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka pasur asnjë fjalë për incidentin. Ministria në disa raste nuk ka përmendur më parë vdekjen e oficerëve të lartë, edhe pasi të afërmit kanë folur publikisht për to. Nuk është e qartë se ku ndodhi incidenti, por mendohet se njësia ushtarake e gjeneralmajorit Zavadsky ishte në rajonin Kherson në atë kohë. Para postit të tij aktual, ai ishte komandant i divizionit elitar të tankeve Kantemirovsky, me qendër jashtë Moskës. Kjo lidhje e fortë midis divizionit dhe rajonit mund të shpjegojë pse z. Gusev ishte zyrtari i parë rus që konfirmoi vdekjen e gjeneralmajor Zavadsky.
Të paktën gjashtë gjeneralë të tjerë rusë mendohet se kanë vdekur që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022. Katër gjeneralë janë konfirmuar se kanë vdekur në katër muajt e parë të luftës dhe dy të tjerë në verën e këtij viti. Së fundmi, gjenerallejtënant Oleg Tsokov u vra në një sulm në një hotel ku strehoheshin komandantët ushtarakë rusë në Berdyansk, në bregdetin jugor të okupuar të Ukrainës. Burimet ukrainase kanë raportuar shtatë vdekje të tjera të gjeneralëve rusë, por të paktën tre prej tyre, që atëherë është vërtetuar se janë ende gjallë.
Ndërkohë që Ukraina përballet me sulmet ruse gjatë dimrit, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha të enjten se Uashingtoni po ndihmonte Kievin të forconte qëndrueshmërinë e tij me pajisje mbrojtëse. Por kishte lajme shumë më të zymta për Kievin nga SHBA të hënën.
Shefja e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Shalanda Young, i shkroi kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së se dështimi i dhomës për të rënë dakord për fonde të reja për Ukrainën deri në fund të vitit mund të gjunjëzojë Ukrainën në fushën e betejës. Ajo tha se ishte në interesin kombëtar të Amerikës që të ndihmonte Ukrainën të mbrohej nga agresioni rus./Zëri.ai/