
SHKUP- 14-vjeçarja Vanja Georgevski është gjetur pa shenja jete, pasi policia ishte vënë në kërkim të saj, sepse ishte shpallur e zhdukur. Rasti i saj ka tronditur opinionin publik në mbarë Ballkanin. Pranë trupit të 14-vjeçares, është gjetur edhe një 74-vjeçar nga Velesi. 3 nga 5 të dyshuarit tashmë do të përballen me drejtësinë, ndërsa organizatori kryesor Palevski është shpallur në kërkim.
Në afërsi të Shkupit është gjetur makina e 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, e cila është djegur krejtësisht. Raportimin për zhdukjen e të moshuarit e ka bërë vajza e tij, që ka deklaruar në polici se i ati asnjëherë nuk ikte nga banesa pa lajmëruar. Ndërsa dyshimet policore janë se vajza është rrëmbyer, me qëllim që t’i merren organet.
Kush e njoftoi nënën e vajzës së vrarë në Shkup?
Rrëmbimi dhe vrasja e 14-vjeçares Vanja Georgievska në Shkup ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Ballkan. Në këtë krim dyshohet se është përfshirë edhe babai i saj.
Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, në një konferencë për mediat ka deklaruar se rrëmbimi i 14-vjeçares është bërë me qëllim përfitimin material. “Një nga personat, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas informacioneve të para, të një anëtari të familjes, e ka organizuar kryerjen e veprës penale, me qëllim që të merren para nga nëna e të miturës, nga e cila të gjithë të përfshirët do të kishin përfitime të parave, përfitime materiale”, tha ministri Spasovski.
Gazetari i Rtv21 në Maqedoninë e Veriut Mevludin Imeri zbuloi për Report Tv detaje të reja lidhur me rrëmbimin më 27 nëntor 2023. Vajza ka dalë nga shtëpia në mëngjes për të shkuar në shkollë si çdo ditë, kur dy persona e kanë rrëmbyer dhe e kanë futur në bagazhin e një Citroeni, ku e kanë lidhur në këmbë dhe duar. Rrëmbyesit kanë qenë të shoqëruar edhe nga një tjetër automjet.
Vajza, pasi është rrëmbyer, është nxjerrë jashtë qytetit të Shkupit dhe pas 2 orë e gjysmë është vrarë. “Ka qenë kujdestarja e klasës së Vanjës, e cila ka marrë në telefon mamanë e adoleshentes, për t’i treguar se e mitura nuk ishte paraqitur në shkollë”, zbulon gazetari Nga Maqedonia e Veriut, Imeri.
Pas kësaj telefonate, nëna ka bërë kallëzim në polici. Pas një operacioni të shpejtë policor, më 3 dhjetor, efektivët kanë zbuluar trupin e pajetë të Gjeorgjevskës. Organizatori kryesor i vrasjes dyshohet se është Lupço Palevski, që është arratisur. Dyshohet se ai ka vrarë edhe 74-vjeçarin nga Velesi, që gjithashtu ishte zhdukur në kohët e fundit. Ndaj Palevskit është firmosur urdhër-arrest. Dyshohet se Palevski ka ikur nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Serbisë e më tej ka humbur gjurmët në Bullgari.
Kush është Lupço Palevski, i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë?
Lupço Palevski është i dyshuari kryesor për 14-vjeçaren Vanja Gjorgjevska. Ai besohet se ka vrarë edhe të moshuarin nga Velesi. Ministri i Brendshëm Spasovski ka thënë në konferencë për mediat se në kohën e arratisjes, Palevski ka qenë së bashku me avokatin e tij. Lupço Palevski është ish-pronar i një kompanie ndërtimi, pronar i emisionit “Start” dhe i një Tv lokal. Ai është i njohur për autoritetet, pasi ka pasur probleme të shumta edhe në të kalurën. Në shtator 2020 është arrestuar në aeroportin e Beogradit, pasi donte të shkonte në Moskë. Pas 8 muajsh është liruar nga burgu e më pas Kroacia ka lëshuar për të urdhër-arrest, pasi kompania e tij kishte borxhe në shtetin kroat.

Pasi kthehet në Maqedoninë e Veriut, Palevski krijon një parti pro-ruse, e quajtur ‘Desna’. Ai ishte i njohur dhe në publik, teksa mbante qëndrime pro-ruse. Më 5 maj 2023, ai u kap bashkë me persona të tjerë me armë pa leje. Ai madje në Facebook-un e tij, edhe gjatë kohës kur policia po kërkonte adoleshenten, postonte mesazhe anti-perëndimore dhe pro Rusisë. Postimi i tij i fundit është shënuar më 1 dhjetor.
Kjo është makina me të cilën u rrëmbye 14-vjeçarja
Televizioni TV21 në Maqedoninë e Veriut ka publikuar detaje të reja nga vrasja e Vanja Gjorgjevskit në Shkup. TV ka publikuar pamjet e mjetit Citroen duke u djegur.
Lihen në paraburgim 3 të dyshuarit për ngjarjen e rëndë
Gjykata e Shkupit ka lënë në paraburgim 3 të dyshuar të ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik. Ata janë ndaluar për 48 orë, për shkak të rrezikut që kanë për t’u arratisur, ndikimit tek ndonjë dëshmitar, si dhe rrezikut se mund të kryejnë një tjetër krim.

Të tre janë dërguar në burgun e Shutkës. Një nga të dyshuarit e krimit makabër është edhe Velibor Manev nga Velesi. Ai u pyet nga mediat para ambienteve të gjykatës nëse ka marrë pjesë në ngjarjen e rëndë dhe thjesht tha “Jo”.
Nxënësit dhe prindërit ngushëllojnë adoleshenten
Një atmosferë e trishtuar ka përfshirë gjatë ditës së sotme shkollën fillore Johann Heinrich Pestalozzi në Qendër të Shkupit. Prindërit kanë pritur në radhë që të nënshkruajnë librin e zisë për Vanja Georgeisva, e cila është vrarë në mënyrë të pamëshirshme.

Ata kanë pritur në radhë me lot në sy dhe me lule në duar. Një fotografi e Vanjës është vënë përpara ambienteve të shkollës. Shkolla ka qenë e mbushur me forca të shumta të policisë. Edhe kryetari i komunës së Qendrës ka qenë i pranishëm në ngushëllime. Mësuesit e shkollës kanë shprehur lamtumirën e tyre në profilin e shkollës në Facebook, duke thënë: “Mësuesit nuk dinë ta zgjidhin këtë detyrë Vanja. Na falni, nuk mundemi, nuk dimë të përshëndesim njëri-tjetrin… Qoftë e ndritur rruga juaj drejt përjetësisë!”, shkroi në FB, kryetari i komunës Qendër, Goran Gerasimovski.
Vanja Georgievska u rrëmbye nga 5 persona me automjet dhe më pas është vrarë, pasi makina ka dalë jashtë Shkupit. 3 të dyshuar janë në paraburgim, njëri është në stacion policie, ndërsa organizatori është në arrati.
Vrasja makabre, del para gjykatës babai i Vanjës
Aleksandër Gjorgjevski, babai i Vanjës, që u vra në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ka dalë sot paradite përpara gjykatës së kryeqytetit maqedonas. Gjorgjevski akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e së bijës adoleshente. Ai dyshohet se iu ka dhënë informacione rrëmbyesve, për oraret ku do të lëvizte vajza e tij. Prokuroria ka kërkuar për të 48 orë paraburgim. 14-vjeçarja u rrëmbye përpara hyrjes së banesës ku jetonte.

Rrëmbyesit ia kanë lidhur duart dhe këmbët, e kanë futur me një thes dhe më pas e kanë vendosur në bagazhin e automjetit. Përpara makinës ku ndodhej adoleshentja, ndodhej një tjetër mjet. Viktima është dërguar në periferinë e Shkupit, në fshatin Brazdë, ku 14-vjeçarja është vrarë. Më pas është djegur makina, me të cilën është kryer ekzekutimi. Dyshimet janë se adoleshentja është vrarë me qëllim që t’i zhvateshin para të ëmës së saj, që kohët e fundit kishte shitur një pronë./Zëri.ai/