
FRANCË- Që nga fillimi i shtatorit, në të gjithë Francën dhe veçanërisht në Paris kanë filluar raportimet për këto insekte të vogla që përfitojnë nga palëvizshmëria e qenieve njerëzore gjatë gjumit për t'i pickuar, duke shkaktuar kruajtje dhe acarim të lëkurës.
Insektet kanë pushtuar ambientet publike duke shfaqur probleme në trena dhe në metro. Njerëzit postojnë vazhdimisht në rrjetet sociale foto të insekteve duke përhapur panik. Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë, Aurélien Rousseau, bën thirrje që të mos ekzagjerohet gjendja dhe të mos përhapet panik më shumë seç situata paraqitet.
Ndërkohë kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo ka bërë thirrje që qeveria të ndërhyjë.
Insektet janë kthyer në një emergjencë të shëndetit publik.
"Infektimet në Francë filluan në vitet 2005-2008," thotë për France Inter Dr. Pascal Delaunay, parazitolog dhe entomolog në Spitalin Universitar të Nicës.
“Nga 2018-2020 ata filluan të përhapen shumë më gjerësisht dhe që atëherë insektet janë vendosur në vende gjithnjë e më atipike, në ambiente të përbashkëta dhe hapësira publike”.
Insektet mund të udhëtojnë katër deri në tetë metra në ditë për të gjetur ushqim. Ata udhëtojnë kryesisht me veshje dhe bagazhe dhe mund të fshihen në mobilje ose piktura. Ndër vendet më të rrezikuara janë hotelet, spitalet, kinematë dhe mjetet e transportit.
Insektet qëndrojnë zakonisht në dhomën e gjumit sepse duhet të jenë pranë ‘’presë së tyre’’, njerëzve. Atyre u duhen nga tre deri në 10 minuta për të thithur gjak, kështu që ‘’viktima’’ duhet të qëndrojë e palëvizur. Kjo është arsyeja pse këto insekte kafshojnë mundësisht gjatë natës. Më shpesh ato gjenden pranë shtratit, në strukturën e bazës së shtratit, në komodina apo pas një fotografie të varur mbi shtrat.
Sisteme për eliminimin e çimqeve (që kërkojnë durim dhe para)
Eliminimi i insekteve mund të zgjasë shumë dhe mesatarisht francezëve u duhen dy muaj e gjysmë, duke shpenzuar nga 900 deri në 1200 euro, hotë Nicolas Roux de Bézieux. Infektimi i insekteve është i bezdisshëm, por mund të kapërcehet.
Dezinfektimi bëhet me insekticide dhe larje çarçafësh dhe rrobash mbi 60 gradë./Zëri.ai