
UASHINGTON- Zyrtarët e FBI u takuan me ish-presidentin Donald Trump javën e kaluar për të diskutuar rreth atentatit që u bë ndaj këtij të fundit. Sipas informacioneve zyrtare, Crooks ishte një i ri “jashtëzakonisht inteligjent”. Madje, në provimin për pranimin në universitet, Thomas Crooks shënoi 1500 pikë nga 1050 që është mesatarja sipas Bordit të Kolegjit në SHBA.
FBI tha se ai ishte shumë i zgjuar, por me siguri ka vuajtur nga një çrregullim i paidentifikuar. Pavarësisht sjelljes së tij, ai nuk u diagnostikua kurrë. Deri më tani, nuk është zbuluar ende motivi i sulmit të tij.
Në javët para sulmit të paramenduar, Crooks kërkoi në internet për politikanë demokratë dhe republikanë, së bashku me Konventën e ardhshme Kombëtare Demokratike dhe “çrregullimin depresiv”.
Burimet thanë se në intervistën gati 90-minutëshe mes Trump dhe një zyrtari të lartë nga zyra e FBI-së në Pittsburgh, ish-presidenti bëri shumicën e pyetjeve. FBI e përshkroi takimin me Trump si një “intervistë standarde të viktimave”.

Përtej pyetjeve rreth Crooks dhe se si ai arriti të ngjitej pa u zbuluar në majë të një ndërtese aty pranë me një pushkë të stilit AR-15, Trump thuhet se donte të dinte nëse autoritetet kishin zbuluar ndonjë lidhje të huaj me sulmin e Crooks. Burimet i thanë mediave se ishin në gjendje të hynin në tre llogari të huaja të postës elektronike të përdorura nga Crooks sepse fjalëkalimet e tij ishin ruajtur në kompjuterin e tij, por ata nuk gjetën indikacione se dikush tjetër ishte i përfshirë në sulm.
Informacioni i mbledhur nga llogaritë e email-it tregojnë se ai ndante informacion në lidhje me blerjet e armëve dhe municioneve, por nuk hidhet dritë mbi atë që e shtyu Crooks të tentonte të vriste ish-presidentin.
Informacioni i publikuar vazhdon të përshkruajë një pamje komplekse të Crooks pasi hetuesit kryesorë ende nuk mund të përcaktojnë përfundimisht se çfarë e motivoi 20-vjeçarin të hapte zjarr ndaj Trump gjatë mitingut të Butler, Pensilvani.
Jason Kohler, i cili ndoqi të njëjtën shkollë të mesme si Crooks, e përshkroi atë për Fox News si një “të dëbuar” që ishte gjithmonë vetëm dhe “bullizohej çdo ditë”. Julianna Grooms, e cila u diplomua një vit pas Crooks, tha se ai vishej me veshje kamuflazhi ose gjuetie dhe ndërvepronte në mënyrë të vështirë.
Crooks hapi zjarr gjat1% një mitingu të Trump në Pensilvani. Nga të shtënat humbën jetën një 50-vjeçar, ndërsa dy spektatorë të tjerë u plagosën dhe Trump pësoi një dëmtim në vesh. Sulmuesi 20-vjeçar u qëllua për vdekje nga agjentët, ndërsa ditët pas sulmit u kritikuan ashpër shërbimet e sigurisë që kishin marrë përsipër mbrojtjen e ish-presidentit amerikan./ZËRI