
BEOGRAD- Serbia po përgatitet t'i japë kompanisë "Rio Tinto" dritën jeshile për të hapur minierën më të madhe të litiumit në Evropë. Ky vendim është marrë 2 vite pasi Beogradi e anuloi projektin. Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se “garancitë e reja” nga kompania anglo-australiane dhe Bashkimi Europian do të adresojnë shqetësimet e Serbisë për standardet e sigurisë mjedisore.
Në një intervistë me "Financial Times", Vuçiç tha: Për sa kohë që kërkesat për të gjithë zinxhirin e vlerës plus mbrojtjen e përsosur mjedisore plotësohen atëherë jemi dakord. Miniera mund të hapet në vitin 2028 dhe parashikohet që të prodhojë 58,000 ton litium në vit – mjaftueshëm për 17 për qind të prodhimit EV në Evropë – afërsisht 1.1 milion makina. Unë me të vërtetë besoj se kjo do të ndryshojë "lojën" për të gjithë rajonin.
Në vitin 2021 dhe 2022, veprimtarët për mbrojtjen e mjedisit në Serbi, mblodhën 30,000 nënshkrime në një peticion që i kërkonte parlamentit të miratojë legjislacionin për t’u dhënë fund kërkimeve për litium në vend. Qeveria i hoqi licencën kompanisë Rio Tinto në janar 2022 pas protestave, të udhëhequra nga grupe mjedisore të shqetësuara për ndotjen e ujit, zhvendosjen e banorëve dhe dëmtimin e zonës.
Ringjallja e planifikuar e marrëveshjes me "Rio Tinto", dhe përfshirja e BE-së, shihen nga zyrtarët perëndimorë si një sinjal i rëndësishëm i shtrirjes gjeopolitike të Serbisë në një kohë kur ajo ndikohet si ekonomisht dhe politikisht nga Kina dhe Rusia.
Serbia ka qenë një vend kandidat për në BE për më shumë se një dekadë, por procesi i pranimit ka ecur ngadalë mes shqetësimeve në Bruksel për shkak të korrupsionit.
Europa praktikisht nuk ka prodhim vendas të litiumit aktualisht dhe Jadari në Serbi do të gjeneronte mjaftueshëm për të përmbushur 13 për qind të kërkesës së parashikuar të kontinentit në vitin 2030. Kjo shifër është vlerësuar e tillë nga "Fastmarkets", një kompani kërkimore e mallrave./ZËRI