
BRITANI E MADHE- Tetë migrantë humbën jetën gjatë natës duke u gdhirë e diel, ndërkohë që përpiqeshin të kalonin La Manshin në mënyrë klandestine për në Angli nga veriu i Francës, thanë sot autoritetet lokale franceze. Roja bregdetare franceze tha se anija u pa duke u nisur drejt një plazhi në qytetin e Ambleteuse, por ekipet e shpëtimit nuk mundën të ofronin ndihmë nga deti, shkruan BBC.
Ka pasur një sërë tentativash kalimi përmes Kanalit në dy ditët e fundit me ardhjen e motit më të qetë. Autoritetet detare franceze thanë se 200 persona u shpëtuan në një periudhë 24-orëshe të premten dhe të shtunën.
Kjo tragjedi vjen më pak se dy javë pas mbytjes së një anijeje, e cila la 12 të vdekur më 3 shtator dhe e çoi numrin e vdekjeve në kalime të tilla që nga janari në të paktën 37./ZËRI