
SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka rikthyer në vëmendje çështjen e financierit miliarder George Soros duke deklaruar se synon që ndaj tij të zhvillohet një hetim në kuadër të ligjit federal RICO. Trump e ka lidhur këtë çështje me protestat në Shtetet e Bashkuara të cilat i ka akuzuar si të dhunshme dhe të organizuara.
Në një intervistë për Fox News Trump deklaroi se çështja do të trajtohet si një rast RICO një ligj federal që përdoret kundër organizatave të strukturuara kriminale. “Do ta shqyrtojmë rastin e Sorosit, sepse mendoj se është një rast RICO kundër tij dhe njerëzve të tjerë. Sepse kjo është më shumë sesa thjesht protesta. Ky është një agjitacion i vërtetë,” tha ai.
Deklarata e fundit e presidentit amerikan vjen pas komenteve të bëra prej tij më 27 gusht në platformën Truth Social ku Trump kishte sulmuar Sorosin dhe grupet që ai i lidh me protestat në SHBA.
“Ne nuk do t’i lejojmë më këta të çmendur ta shkatërrojnë Amerikën. Soros dhe grupi i tij i psikopatëve i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit tonë!” kishte shkruar Trump.
Në qendër të deklaratave të Trump është ligji RICO, akronim për “Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act”. Bëhet fjalë për një ligj federal amerikan që synon aktivitetet kriminale të organizuara dhe parashikon masa të rënda ndëshkuese për personat që drejtojnë ose marrin pjesë në organizata të dyshuara kriminale.
Ligji RICO parashikon dënime që mund të arrijnë deri në 20 vite burg, krahas gjobave të konsiderueshme financiare./ZËRI