Bota

Gjykata e Damaskut dënon me vdekje ish-presidentin e Sirisë Bashar al-Assad

Dënimet në Gjykatën e Katërt Penale në Damask janë të parat kundër Assadit ose anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë që kur pesë dekadat e familjes Assad në pushtet morën fund 20 muaj më parë.

zh.ll
Gjykata e Damaskut dënon me vdekje ish-presidentin e Sirisë Bashar
Bashar al Assad

SIRI- Gjykata Penale e Damaskut dënoi me vdekje në mungesë presidentin e rrëzuar sirian Bashar al Assad së bashku me vëllain e tij më të vogël për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konfliktit 14-vjeçar të Sirisë që la rreth gjysmë milioni të vdekur.

Dënimet në Gjykatën e Katërt Penale në Damask janë të parat kundër Assadit ose anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë që kur pesë dekadat e familjes Assad në pushtet morën fund 20 muaj më parë.

"Bashar Assad përdori agjencitë shtetërore për të kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit", tha gjykatësi Fakhareddine al-Aryan gjatë një seance gjyqësore që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.

Gjithashtu u dënua me vdekje në të njëjtin rast edhe kushëriri i Assadit nga nëna, Atef Najib, i cili u dënua për mbikëqyrjen e një goditjeje në provincën jugore të Daraa-s që çoi në kryengritje dhe më vonë në luftën civile.

Nën masa të rrepta sigurie, Najib qëndronte brenda një kafazi i veshur me uniformën e të burgosurit ndërsa gjykatësi lexonte dënimin. Një turmë njerëzish u mblodhën jashtë gjykatës në Damaskun qendror për të dëgjuar vendimin.

Assad dhe vëllai i tij Maher ikën në Rusi pas rënies së qeverisë në dhjetor 2024 dhe morën azil politik. Sundimtarët e rinj të Sirisë i kanë kërkuar Rusisë t'i dorëzojë Assadët.

Najib, i cili u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Thesarit në prill 2011, u arrestua më vonë dhe është një nga zyrtarët më të lartë që do të nxirret në gjyq.

Najib është një ish-gjeneral brigade i ushtrisë siriane i cili ishte kreu i Degës së Sigurisë Politike në provincën Daraa të Sirisë jugore nën Assad në vitin 2011.

Gjatë mandatit të tij, më shumë se një duzinë adoleshentësh që shkruanin grafite antiqeveritare në murin e një shkolle në Daraa u arrestuan dhe u torturuan. Rasti u bë katalizator për protesta masive kundër politikave shtypëse të forcave të sigurisë së Asadit.

Protestat u përballën me një shtypje brutale nga qeveria dhe u shndërruan në një luftë civile 14-vjeçare që përfundoi me rrëzimin e Assadit në një ofensivë të shpejtë rebele.

Maher Assad ishte ish-komandant i Divizionit të 4-t të Blinduar të ushtrisë siriane, të cilin aktivistët e opozitës siriane e kanë akuzuar për vrasje, tortura, zhvatje dhe trafik droge, përveç drejtimit të qendrave të veta të paraburgimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB