Bota

Hemorragjia pas zgjimit/ Papa Françesku ishte gjithnjë i lodhur, faktorët që mund të kenë shkaktuar goditjen në tru

Hipotezat që çuan në këtë goditje në tru, janë të shumta.

k.m.
Hemorragjia pas zgjimit/ Papa Françesku ishte gjithnjë i lodhur,
Foto ilustruese

VATIKAN- Shkaku i vdekjes së Papa Françeskut i atribuohet "infarktit cerebral, komës dhe kolapsit të pakthyeshëm kardiocirkulativ". Në orën 7 të mëngjesit, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta, Papa Françesku u ndje papritur keq. Disa orë më vonë, ai vdiq. Ditën e djeshme, sipas "Corriere della Sera", Françesku u zgjua në 6 të mëngjesit, më pas në orën 7 u ndje keq. Menjëherë u mendua se ishte një goditje në tru. Por hipotezat që çuan në këtë goditje në tru, janë të shumta. Dhe për këtë gjë kanë folur mjekë italianë, të njohur me kartelën mjekësore të Papës. 

“Është dëmtim i vazhdueshëm i trurit, për shkak të problemeve vaskulare,”- shpjegon Francesca Romana Pezzella, neurologe në Njësinë e Strokeve të Spitalit San Camillo në Romë dhe kryetare e planit evropian për goditjen cerebrale. Një goditje në tru mund të shkaktohet nga bllokimi ose këputja (hemorragjike) e një arterie në tru.

"Në rastin e Papës hipoteza jonë është se ka pasur  një goditje hemorragjike (ose hemorragji cerebrale), e cila në orën e parë shoqërohet me një rrezik të lartë vdekjeje. Indi i trurit është i dëmtuar dhe duhet ndërhyrë menjëherë: sa më shpejt të ndërhyhet, aq më të mëdha janë shanset për shërim”.

Mosha, hipertensioni dhe diabeti

Nga certifikata mjekësore zbulohet se Papa kishte një insuficiencë respiratore akute për shkak të pneumonisë dypalëshe,  kishte hipertension arterial dhe diabeti të tipit II. Të gjitha patologji që sipas ekspertëve rrisin ndjeshëm rrezikun e goditjes në tru. 

Stresi

Pas 37 ditësh shtrimi në Poliklinikën "Gemelli", Papa Françesku kishte nevojë për një periudhë të gjatë pushimi. Por angazhimet publike gjatë Pashkëve e kishin vendosur atë nën stres të mëtejshëm fizik dhe mendor.

“Dihej se pas momentit të vështirë të sëmundjes, një periudhë pushimi do të ishte e nevojshme për Papën, por angazhimet me të cilat ai u përball për Pashkë mund të kishin shkaktuar lodhje”, vuri në dukje Roberto Tarquini, kreu i Mjekësisë së Brendshme në spitalin e Empolit.

Efekti i mundshëm i barnave

Një hipotezë tjetër vjen nga Stefano Nardini, ish-drejtor i Pneumologjisë në spitalin në Vittorio Veneto.

"Ka mundësi që Papa të ishte nën terapinë anti-agregacion, e cila mund të ketë lehtësuar këtë ngjarje hemorragjike". Një dyshim i bazuar mirë, duke marrë parasysh moshën e shtyrë dhe historinë e gjatë mjekësore të Papës, që përfshin heqjen e një pjese të mushkërisë së tij të djathtë në moshën 21-vjeçare, episodet e shumta të bronkitit kronik dhe përdorimin e vazhdueshëm të karriges me rrota për shkak të vështirësive motorike./ZËRI

Poll

MOS HUMB