
KIEV-MOSKË- Për herë të parë që nga historia e Luftës së Dytë Botërore, Rusia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në territorin e saj.
Trupat ukrainase kanë përparuar në vijën e frontit, duke marrë nën kontroll 74 vendbanime në Kursk. Guvernatori i Belgorod, Vychiaslav Gladkov deklaroi se rajoni jugor i Rusisë është në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë për shkak të granatimeve të vazhdueshme ukrainase.
“Situata mbetet jashtëzakonisht e vështirë dhe e tensionuar për shkak të bombardimeve të forcave të armatosura ukrainase. Shtëpitë janë shkatërruar, ka civilë të vdekur dhe të plagosur. Për të garantuar mbrojtje më të mirë të banorëve dhe për të ofruar ndihmë të mëtejshme për të prekurit, nga sot do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në nivel rajonal”, deklaroi Gladkov, duke theksuar se po kërkon nga Moska që gjithashtu të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në nivel federal.
Rusia lajmëroi se mbrojtja ajrore shkatërroi 117 dronë dhe 4 raketa, të cilët u lëshuan gjatë natës nga Ukraina. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se disa rajone, duke përfshirë Kursk, Voronezh, Belgorod dhe Nizhny Novgorod, ishin në shënjestër.

"Ushtarët raportuan se Rusia kishte dërguar trupat e saj nga rajoni i enklavës së Kaliningradit në rajonin e Kurskut", tha ministri lituanez i Mbrojtjes Laurynas Kasciunas gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kasciunas tha se luftimet e vazhdueshme në Kurskun e pushtuar nga Kievi po e detyronin Moskën të tërhiqte ushtarët e saj nga Kaliningrad, duke e përshkruar atë si një formë çmilitarizimi të shkaktuar “nga guximi i ushtrisë ukrainase”.
Putin e quajti sulmin ukrainas të motivuar nga “miqtë perëndimor”, për të cilën reagoi menjëherë SHBA. Vedant Patel, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan tha se Uashingtoni nuk është i përfshirë në kundërsulmin e Kievit në territorin e Moskës.
“Roli ynë është të mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e vetes, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen kundër sulmeve ose operacioneve që mund të ndodhin brenda territorit të Kievit”, tha Patel.
Forcat e armatosura të Ukrainës filluan një operacion në shkallë të gjerë më 6 gusht në rajonin e Kurskut dhe pretendojnë se kanë kapur më shumë se 1000 kilometra katrorë të territorit rus. Nëse raporti është i vërtetë, kjo tregon se ushtria ukrainase ka përparuar më shumë se ajo ruse gjatë dy muajve të fundit. Për herë të parë në histori, qarkulluan video të flamurit ukrainas duke u valëvitur në Kursk, dhe ai rus i hedhur në tokë. /ZËRI