Bota

Hetimi i SPAK për pronat në Zvërnec/ Reagon ekonomisti i njohur amerikan: Në Shqipëri korrupsioni vjen me territorin

Ai ka folur për hetimin që po kryen SPAK ndaj biznesmenit Artur Shehu për tokat në Zvërnec

l.k
Hetimi i SPAK për pronat në Zvërnec/ Reagon ekonomisti i njohur
Steve Hanke, pamje nga Zvërneci

SHBA- Ekonomisti i njour amerikan, Steve Hanke ka tërhequr vëmendjen me një postim në rrjetet e tij sociale, i cili i dedikohet Shqipërisë.

Ai ka folur për hetimin që po kryen SPAK ndaj biznesmenit Artur Shehu për tokat në Zvërnec, aty ku u fol se do të ndërtohet resorti lukzos nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Në postimin e tij ai thotë se “në Shqipëri, korrupsioni vjen me territorin”.

“Prokurorët shqiptarë akuzojnë biznesmenin Artur Shehu për përdorim të akteve të falsifikuara të pronësisë për të shitur tokë për projektin e resortit luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh të dhëndrit të Trump, Jared Kushner. NË SHQIPËRI, KORRUPSIONI VJEN ME TERRITORIN.”, shkruan Hanke.

Mëngjesin e 12 qershorit SPAK shpalli 20 masa sigurie në kuadër të një operacioni kundër një grupi kriminal që merrej me trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Artur Shehu, i njohur gjithashtu si poseduesi kryesor i tokave në Zvërnec.

Në dosjen hetimore, siguruar nga ZËRI evidentohet mënyra se si janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke në Zvërnec, duke kaluar nga trashëgimtarët tek vetë Artur Shehu.

Në dosjen hetimore prona është tjetërsuar duke iu shtuar në dokumente sipërfaqja nga 5.800 m² në 32.000 m², me një shtesë prej 26.200 m². Ekspertiza tekniko-topografike ka konstatuar se sipas dokumenteve arkivore dhe hipotekore, prona ka një sipërfaqe reale prej 5.800 m². Prona është regjistruar fillimisht në emër të trashëgimtarëve dhe më pas është transferuar te Artur Shehu, me kontratë shitjeje për vlerën 480 milionë lekë.

Një rol kyç në tjetërismin e pronave në Zvërnec ka pasur edhe përkthyesja Entela Muço, punonjëse në Arkivin Qendror të Shtetit. Konkretisht bëhet fjalë se Muço dyshohet se ka përkthyer gabim një vendim gjykate nga osmanishtja e vjetër, çka ka sjellë probleme pronësie në Zvërnec të Vlorës.

Sipas dosjes hetimore, dokumenti i paraqitur në AKKP i njohur si "Regjistri Daimi i vitit 1318", ishte përkthyer nga Muço në një mënyrë që krijonte përshtypjen se përmbante të dhëna pronësie për Seit Shehun.

Vetë punonjësja e Arkivës ka mohuar të ketë kryer apo nënshkruar dokumentin dhe në vitin 2015 pasi iu kërkua ta përkthente sërish dokumentin, rezultoi se ai nuk përmbante të dhëna pronësie për Seit Shehun. Gjykata arriti në përfundimin se dokumenti pasqyronte të dhëna të pavërteta. Sipas dosjes, ky përkthim u përdor në procedurat për njohjen dhe regjistrimin e pronës, duke i hapur rrugë procesit që çoi në përfitimin e sipërfaqeve nga Shehu në zonën e Zvërnecit./ZËRI

Poll

MOS HUMB