
INDI - Një inxhinier 27-vjeçar i Google në Kaliforni është akuzuar për vrasje, pasi dyshohet se ka rrahur për vdekje gruan e tij, gjithashtu një teknike e Google, dhe u gjet i mbuluar me gjak pranë trupit të saj. Liren Chen u gjet i spërkatur me gjak në shtëpinë e tij dhe trupi i gruas së tij ishte në dhomën e gjumit, sipas një deklarate nga zyra e prokurorit të qarkut Santa Clara. "Ajo kishte lëndime të rënda në kokë. Dora e djathtë e Chen ishte jashtëzakonisht e fryrë dhe e mavijosur. Ai kishte gjak në rroba, këmbë, krahë dhe duar e gërvishtje në krah", thuhet në deklaratë.
Ndërsa gruaja e Chen nuk u përmend në deklaratat e prokurorit të qarkut, raporte të shumta cituan dokumente dhe e identifikuan viktimën si Xuanyi Yu. Google ka konfirmuar për Fox News Digital se Chen dhe Xuanyi Yu ishin punonjës në gjigantin e teknologjisë, kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Zyra e prokurorit të qarkut tha se Chen është akuzuar për vrasje dhe përballet me burg, nëse shpallet fajtor. Ai ndodhet aktualisht në spital dhe nuk mund të paraqitet ende në gjykatë.
Sipas deklaratës, policia mori një telefonatë nga një i njohur i Chen të martën. Kur policët arritën në vendngjarje, i njohuri u tha atyre se Chen nuk po përgjigjej në telefon. Oficerët arritën të hynin në shtëpi dhe vendosën Chen në paraburgim. Ata gjetën trupin e gruas së tij në dhomën e gjumit.
Sipas profilit LinkedIn të Liren Chen, ai ka punuar me Google si inxhinier softuerësh që nga marsi i vitit 2020. Ai ka punuar për YouTube Shorts. Profili i Xuanyi Yu në LinkedIn thotë se ajo iu bashkua Google si inxhiniere softuerësh në vitin 2021. Më parë, ajo kishte punuar në Amazon. Të dy, Liren Chen dhe Xuanyi Yu ishin ekselentë të një universiteti të Pekinit./ZËRI/