Bota

Sulmi në Banjskë, Kurti: E organizoi Klani i Novi Sadit

Albin Kurti drejton 'gishtin' nga ajo që ai e quan "Klani i Novi Sadit", duke akuzuar edhe ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç.

k.m.
Sulmi në Banjskë, Kurti: E organizoi Klani i Novi Sadit
Albin Kurti

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë me emrat e përgjegjësve të sulmit në Banjskë. Kurti drejton 'gishtin' nga ajo që ai e quan "Klani i Novi Sadit", duke akuzuar edhe ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç. Sipas tij, grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiç po qëndron në Rashkë, ku edhe pretendon që mbrohen nga "capo dei capi" (shefi i shefave, pseudonim i përdorur për Toto Riinën), presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Por gjithashtu, në të njëjtin denoncim të bërë në rrjetet e tij sociale, Kurti kërkon edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për të prangosur anëtarët e tjerë të grupit terrorist që sulmuan Kosovën disa javë më parë. 

"Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar,"-shkruan Kurti ndër të tjera.

POSTIMI i Albin Kurtit:

Klani i Novi Sadit. Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq. Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS. Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin. Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj. Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.

Gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij. Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes Policisë dhe terroristëve, janë vrarë edhe tre nga këta të fundit. 

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë. Ky i fundit ka mohuar përfshirjen e Beogradit zyrtar në ngjarje. Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiçit nga Serbia. Por ende nuk ka asnjë lëvizje, edhe pse diplomatët perëndimorë kanë premtuar hetim të ngjarjes./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB