
RUSI- Është rënduar bilanci i sulmit terrorist që ndodhi në një koncert në Moskë, ku numri i viktimave është mbi 80, mes tyre dhe 3 fëmijë. ISIS ka marrë përsipër sulmin, ndërsa në një reagim të shpejtë pas ngjajes së rëndë Kievi zyrtar mohoi përfshirjen në këtë akt të rëndë, më tragjiku prej vitesh në Rusi.
Burra të armatosur me automatikë kallashnikov me veshje kamuflazhi sulmuan një sallë koncertesh në veriperëndim të qendrës së Moskës, duke hapur zjarr pa mëshirë ndaj pjesëmarrësve të koncertit. Para se të arratiseshin, sulmuesit hodhën edhe granata me lënë plasëse, duke bërë që e gjithë ndërtesa të mbushej me tym dhe flakë, duke vështirësuar edhe operacionin për shpëtimin e të plagosurve.
Rreth dy javë më parë autoritetet e sigurisë ruse thanë se kishin eliminuar një celulë të degës afgane të ISIS-it që po planifikonte një sulm të armatosur në kryeqytet, ndërsa SHBA-ja kishte paralajmëruar Moskën për mundësinë e një sulmi.
Ministri i jashtëm italian Antonio Tajani, ka qenë një ndër politikanët e parë që ka dënuar sulmin në Moskë.
"Ne e dënojmë me vendosmëri këtë sulm terrorist. Pretendimi i ISIS është ndoshta i vërtetë, por ne presim të gjitha analizat që duhen bërë”, ka deklaruar Tajani pas ngjarjes. “Ne do të flasim për terrorizmin në samitin e NATO-s, i cili do të zhvillohet menjëherë pas Pashkëve në Bruksel dhe pastaj padyshim që do të diskutohet edhe në G7 për Punët e Jashtme që do të mbahet në Kapri nën presidencën italiane”, shtoi ai.
Deri tani mediat ndërkombëtare raportojnë për 80 viktima, ndërsa kanalet ruse në Telegram thonë se numri i personave të vrarë është 112, ndërsa shumë të tjerë janë në gjendje të rëndë për jetën.
Presidenti kinez Xi Jinping i ka dërguar "ngushëllimet" e tij presidentit rus Vladimir Putin për sulmin terrorist të mbrëmshëm në Moskë, njoftuan mediat shtetërore kineze.
Presidenti rus Vladimir Putin kishte hedhur poshtë paralajmërimet perëndimore për sulme të mundshme terroriste në Moskë si "shantazh" vetëm disa ditë më parë. Ambasada amerikane në Rusi kishte publikuar një alarm në faqen e saj të internetit më 7 mars, duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin tubimet e mëdha në kryeqytetin rus, përfshirë koncertet, për 48 orët e ardhshme për shkak të sulmeve të mundshme terroriste. Një mesazh që është marrë edhe nga Ministria e Jashtme britanike në faqen e saj. Të martën më 19 mars, Tass raportoi se Putini e kishte përcaktuar paralajmërimin e Perëndimit për sulme të mundshme terroriste në vend si "shantazh" të vërtetë.
Mbi 470 persona u përfshinë në operacionet për shuarjen e zjarrit që shkatërroi sallën e koncerteve Crocus City Hall të sulmuar mbrëmë nga një grup njerëzish të armatosur: Ministria ruse e Emergjencave e njoftoi këtë për Tass. "Janë gjithsej 477 persona dhe 183 njësi pajisjesh të përfshirë, duke përfshirë 192 persona dhe 79 njësi pajisje nga Ministria Ruse e Emergjencave," tha një zëdhënës i ministrisë.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi thashethemet nga CNN dhe New York Times pak orë më parë se Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar Moskën në fillim të marsit për një sulm terrorist që mund të godiste "mbledhjet e mëdha" në Moskë. "Në fillim të këtij muaji, qeveria e SHBA kishte informacione për një plan për një sulm në Moskë në tubime dhe koncerte të mëdha" dhe "e ndau atë me autoritetet ruse," tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Ëatson.
Presidenti rus Vladimir Putin u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve në sulmin terrorist të mbrëmshëm në Moskë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve Tass.
Mes armëve të mbledhura nga forcat e sigurisë pas sulmit ishte edhe një kallashnikov i personalizuar dhe një rrip plot me karikatorë të përdorur nga terroristët./ZËRI