
BELGJIKË- Ish-mesfushori belg, Raja Nainggolan, u arrestua për trafik kokaine. Sipas mediave të huaja, Nainggolan ishte nën hetim pasi kishte dyshime se ishte i përfshirë në një rrjet trafiku kokaine përmes portit të Antwerp.
Paraditen e së hënës, rreth 30 vende dhe banesa u kontrolluan nga Policia në provincën e Antwerpen, si edhe në periferi të kryeqytetit, duke vendosur në pranga disa persona. Në njoftimin paraprak, Policia nuk dha emra por vetëm inicialin "RN". Të pyetur nga Agence France-Presse, një përfaqësues i Prokurorisë konfirmoi se bëhet fjalë për 36-vjeçarin Raja Nainggolan. Madje ky i fundit, javën e kaluar shënoi një gol për Lokeren, në kategorinë e dytë të Belgjikës.

Nainggolan dyshohet se është pjesë e grupit që merrej me importimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, nëpërmjet portit të Antwerp-it, dhe rishpërndarjen e saj në Belgjikë. Hetimet nuk kanë përfunduar ende, ndaj Prokuroria premtoi më shumë informacione në një moment të dytë. Nainggolan, me origjinë nga Antwerp, ka luajtur për kombëtaren belge në më shumë se 30 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola për fanelën./ZËRI