ROMË- Qytetarët e italisë kanë votuar me ‘jo’ ndryshimeve në drejtësi, të propozuara nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni. Menjëherë, pas numërimit të votave për referendumin në drejtësi ka reaguar edhe Meloni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministrja italiane ka deklaruar se qeveria e respekton vendimin që qytetarët kanë marrë në referendum. Më tej, ajo shprehet se qeveria do të ecë përpara me punët e nisura, me vendosmëri dhe respekt për popullin italian.
“Italianët kanë vendosur. Dhe ne e respektojmë këtë vendim. Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”, ka shkruar Meloni në videon e publikuar.
Rezultatet, të certifikuara nga Ministria e Brendshme në Itali, tregojnë se vota "Jo" kryeson me 54.5%, ndërsa vota "Po" arriti në 45.5%.
Miliona qytetarë italianë shprehën vullnetin e tyre në një referendum nëse donin që të miratohej ose jo një reformë e sistemit të drejtësisë. Referendumi nuk kërkon 50% plus një të atyre që kanë të drejtë vote, që do të thotë se rezultati do të jetë i vlefshëm pavarësisht pjesëmarrjes./ZËRI