
SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është kërcënuar me vdekje. Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Punëve të Brendshme. Mediat serbe shkruajnë se një person, i identifikuar si Dragan Mijatovic nga Sombor, një qytet në kufi me Kroacinë, është vënë në pranga për shkak të kërcënimit të rrezikimit të sigurisë së Presidentit të Republikës. Ai do të qëndrojë në burg për 48 orë ndërkohë që autoritetet do të kryejnë një hetim.
Kërcënimi, besohet se është bërë në rrjetin social X, përmes një komenti, më 15 maj.
Vetë Vuçiç kishte komentuar tentativën për vrasjen e kryeministrit sllovak Robert Fico, ndërsa Mijatovic komentoi: “Kjo ishte një provë për vrasjen tuaj!”
Zyrtarët serbë e dënuan ashpër postimin për Vuçiçin, duke e quajtur atë “të turpshëm”. Ministrja e Drejtësisë Maja Popovic tha se ishte “e papranueshme” që disa individë e shihnin tentativën për vrasjen e kryeministrit sllovak si një mundësi për të kërcënuar presidentin e Serbisë.