Bota

Kërkesa për Ozempic sjell sulme nga bandat kriminale në Brazil

Qyteti i São Paulo, më i madhi në vend, është tani, sipas mediave, një pikë e nxehtë për këto krime duke shënuar një rritje alarmante të sulmeve ndaj ndaj objekteve farmaceutike në muajt e fundit.

k.m.
Kërkesa për Ozempic sjell sulme nga bandat kriminale në Brazil
Foto ilustruese

BRAZIL- Kërkesa në rritje për barnat që sjellin humbje peshe në Brazil ka shkaktuar një valë grabitjesh të dhunshme në farmaci. Hajdutët kërkojnë Ozempic, ëegovy dhe Saxenda. Sipas një raporti të kohëve të fundit në New York Times, këto ilaçe janë bërë të lakmuara për bandat kriminale që i shohin ato si një burim fitimprurës të ardhurash.

Qyteti i São Paulo, më i madhi në vend, është tani, sipas mediave, një pikë e nxehtë për këto krime duke shënuar një rritje alarmante të sulmeve ndaj ndaj objekteve farmaceutike në muajt e fundit.

Natën e 26 janarit 2024, David Fernando, një farmacist 36-vjeçar, po punonte kur një person i armatosur i hyri brenda.

"Më kërkoi para nga arka dhe ilaçe nga frigoriferi”, kujton Fernando, i cili, edhe pse i frikësuar, nuk u befasua nga grabitja. Ky dyqan ishte grabitur dy herë më parë nga i njëjti lloj kriminelësh, të cilët morën Ozempic, një ilaç për humbje peshe që kushton nga 700 deri në 1100 realë brazilian (afërsisht midis 120 dhe 190 dollarë) për kuti, një çmim i lartë duke marrë parasysh që të ardhurat mesatare mujore në Brazil janë vetëm 300 dollarë.

Ethet për këtë ilaç janë intensifikuar pasi të famshëm brazilianë filluan të ndajnë përvojat e tyre me Ozempic në rrjetet sociale, duke promovuar përdorimin e tij për humbje të shpejtë në peshë. Kjo dukshmëri në media si Instagram dhe TikTok, ku figura të tilla si Luiza Possi, Wesley Safadão dhe Jojo Todynho kanë folur hapur për rezultatet e tyre me ilaçin, ka nxitur kërkesën. Ndërsa interesi për Ozempic rritet, rritet edhe dëshpërimi i atyre që kërkojnë ta marrin atë me çdo kusht, madje edhe përmes krimit.

Vjedhjet e Ozempic dhe barnave të tjera të ngjashme janë rritur ndjeshëm javët e fundit. Sipas të dhënave të policisë së São Paulo, grabitjet që përfshijnë këto medikamente u rritën nga 1 në 2022, në 18 në 2023 dhe 39 në 2024. Situata ka bërë që farmacitë në zonat më të pasura të qytetit të marrin masa ekstreme. Disa dyqane kanë punësuar roje të armatosur ose kanë hequr fare Ozempic nga raftet e tyre.

Në një farmaci në São Paulo perëndimore, menaxheri ëilson Martins shpjegoi se dyqani nuk e ruan më ilaçin për të parandaluar vjedhjen.

“Nëse dikush më pyet për Ozempic, unë u them që nuk e kemi. Në këtë mënyrë nuk kemi asnjë problem,"- tha Martins, duke shtuar se ai ende mban një hanxhar të veshur pas banakut në rast se futen sërish për ta vjedhur.

Por disa banda të organizuara jo vetëm që vjedhin në farmaci, por specializohen edhe në grabitjen e kamionëve që shpërndajnë këto barna. Pedro Ivo Corrêa dos Santos, kreu i policisë në Departamentin e Hetimit Kriminal të São Paulo , tha e në disa raste, hajdutët punojnë së bashku me punonjësit e kompanive të transportit, duke demonstruar kompleksitetin e rrjeteve kriminale.

Ozempic ka arritur një çmim të lartë për shkak të mungesës dhe kërkesës së lartë në Brazil. Sipas të dhënave nga IQVIA, një kompani globale e analitikës së të dhënave të kujdesit shëndetësor, shitjet e Ozempic në Brazil u rritën nga 27.5 milion dollarë në 2019 në 621.6 milion dollarë në 2023, duke shënuar kështu një rritje spektakolare. Megjithatë, ky treg brazilian mbetet i vogël në krahasim me atë të Shteteve të Bashkuara, ku shitjet kapën 30.3 miliardë dollarë në të njëjtin vit.

Ajo që është e qartë është se grabitjet Ozempic janë vetëm një manifestim i një problemi shumë më të madh: pabarazia ekonomike në rritje e Brazilit dhe obsesioni me imazhin e trupit./ZËRI

Poll

MOS HUMB