
SHBA- Një nga përdoruesit më të njohur në rrjetin social "TikTok", Khabane Khaby Lame, përflitet se është arrestuar nga Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave. Shoku më i mirë i Barron Trump (djali i presidentit Donald Trump), influencuesi Lo Boudon përhapi lajmin për statusin e paligjshëm të Khaby-t në SHBA dhe arrestimin e tij.
Por nuk pati asnjë sqarim për këtë derisa ICE (U.S. Immigration and Customs Enforcement) konfirmoi se ai ishte me të vërtetë i ndaluar, por nuk ishte arrestuar. Kjo pasi kishte qëndruar në SHBA më shumë sesa e lejonte viza e tij.
ICE gjithashtu ka sqaruar se tashmë "tik-tokeri" i njohur është larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për momentin nuk ka as konfirmim dhe as përgënjeshtrim të lajmit nga stafi i 25-vjeçarit.
Khaby është i njohur për videot e tij të shkurtra ku nuk thotë asgjë, por tregon se sa lehtësisht mund të kryhen disa veprime që në rrjet "shiten" si truqe. Në vitin 2022, Khaby-t iu dha shtetësia italiane pasi ai vinte nga Senegali. Khabane "Khaby" Lame ka lindur më 9 mars 2000 dhe krijuesi më i ndjekur i platformës me mbi 162 milionë ndjekës që nga viti 2025./ZËRI