Bota

"Po vazhdoi, do ketë pasoja të RËNDA"/ Trump kërcënon Musk për herë të parë që nga nisja e sherrit publik

Presidenti theksoi se nuk ka dëshirë të përmirësojë marrëdhënien e tij me Musk.

k.m.
"Po vazhdoi, do ketë pasoja të RËNDA"/ Trump
Elon Musk dhe Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka lëshuar një paralajmërim të fortë manjatit Elon Musk! Në një intervistë për mediat, i pyetur për grindjet që ai ka pasur gjatë ditëve të fundit me Musk, është shprehur se do të ketë "pasoja serioze" nëse manjati i teknologjisë vijon dhe financon kandidatët demokratë për të kandiduar kundër republikanëve. Po ashtu, për presidentin nuk ka hapa pas! 

Presidenti theksoi se nuk ka dëshirë të përmirësojë marrëdhënien e tij me Musk.

"Nëse e bën këtë (mbështet demokratët), do të duhet të mbajë pasojat. Do të duhet të mbajë pasoja shumë serioze nëse e bën këtë gjë,"-tha disa herë rresht Donald Trump në një intervistë telefonike "për NBC News", por nuk pranoi të zbulonte se cilat do të ishin këto pasoja.

Presidenti theksoi gjithashtu se nuk ka dëshirë të përmirësojë marrëdhënien e tij me miliarderin Elon Musk pasi grindja midis të dyve u bë publike.

"Jo!,"- tha Trump kur u pyet nëse kishte ndonjë dëshirë që të rivendoste paqe me Musk. I pyetur nëse mendonte se marrëdhënia e tij me drejtorin ekzekutiv të Tesla-s dhe SpaceX kishte mbaruar, Trump tha: Mendoj se po, po!

Trump tha se mendon që Partia Republikane është më e bashkuar se kurrë dhe konfirmoi se nuk ka plane të flasë me Musk së shpejti.

"Jam shumë i zënë me gjëra të tjera. Nuk kam ndërmend të flas me të,"- theksoi presidenti amerikan.

Elon Musk kritikoi Trumpin në një seri postimesh në platformën "X", përfshirë një postim tani të fshirë tani, në të cilin ai theksoi se presidenti del edhe në dosjet e Jeffrey Epstein.

"Këto quhen lajme të vjetra. Janë lajme të vjetra për të cilat është folur prej vitesh. Edhe avokati i Epstein tha se unë nuk kisha të bëja fare me to. Këto janë lajme të vjetra," - tha Trump.

Por edhe zënka ka një limit! Trump vuri në dukje se nuk do të anulonte kontratat federale me kompanitë e Muskut.

"Do të më lejohej që ta bëj nëse dua, por nuk do ta bëj.  Partia Republikane nuk ka qenë kurrë kaq e bashkuar më parë. Ai nuk ka qenë kurrë pjesë e jona. Në fakt, Partia Republikane është më e bashkuar sesa ishte tre ditë më parë," - tha Trump.

Për grindjen më të famshme të momentit ka folur edhe zëvendëspresidenti, JD Vance. Ky i fundit u përpoq të minimizonte grindjen publike midis të dyve duke e quajtur Musk një “djalë emocional”.

“Shpresoj që Elon përfundimisht të kthehet në vijë. Ndoshta nuk mundet sepse e ka tepruar. Kjo u ndodh të gjithëve. Unë e kam humbur durimin shumë më keq se Elon Musk në 24 orët e fundit,”-tha Vance.


Grindja publike vjen pas një partneriteti të jashtëzakonshëm që zgjati më shumë nga sa parashikuan shumë demokratë në Capitol Hill dhe në orbitën e Trump.

Musk shpenzoi qindra miliona dollarë për fushatën e rizgjedhjes së Trump përmes programit të tij të krijuar posaçërisht për rizgjedhjen America Pac, i cili mbështeti një pjesë të madhe të fushatës së ashpër të Trump, megjithëse ndikimi aktual i asaj përpjekjeje në terren është i paqartë.

Shefi i Tesla-s dhe SpaceX ishte një ish-këshilltar i ngushtë i Trump dhe drejtoi Departamentin e sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) përpara largimit të tij javën e kaluar. Që nga largimi i tij nga administrata e Trump, Musk ka kritikuar ashpër projektligjin e presidentit për uljen e taksave dhe shpenzimet, duke e quajtur atë "të neveritshëm". Kështu nisi edhe përplasja mes tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB