
TEHERAN – Autorriteti më i lartë i Iranit, Ayatoolah Ali Hkamenei, tha se Teherani nuk është përfshirë në sulmin e fundjavës së grupit militant Hamas ndaj Izraelit. Mirëpo, ai tha se përshëndet humbjen ushtarake dhe të shërbimeve sekrete izraelite.
“Ne puthim duart e atyre që planifikuan sulmin ndaj regjimit sionist”, tha Khamenei. Ky ishte fjalimi i tij i parë televiziv, që nga sulmi terrorist.
"Ky sulm i Hamasit, ka shkatërruar disa struktura kritike (në Izrael), të cilat nuk do të riparohen lehtë. Veprimet e regjimit sionist janë fajtorë për këtë fatkeqësi", tha Khamenei.
Izraeli ka akuzuar prej kohësh sundimtarët klerikë të Iranit për nxitje të dhunës, teksa furnizojnë me armë Hamasin.
Teherani, i cili nuk e njeh Izraelin, raportohet se i jep mbështetje morale dhe financiare grupit, i cili kontrollon Rripin e Gazës.
Khamenei tha se një sulm izraelit në Gaza, do ta shtonte zemërimin palestinez akomë më tepër. "Regjimi pushtues kërkon të portretizojë veten si një viktimë për të përshkallëzuar më tej krimet e tij. Kjo është një llogari e gabuar. Do të rezultojë në katastrofë edhe më të madhe", tha Khamenei.
Kanalet televizive izraelite thanë se numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit ishte rritur në 900, dhe së paku 2 600 persona janë plagosur. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 687 palestinezë u vranë dhe 3 726 u plagosën në sulmet ajrore izraelite në enklavën e bllokuar.
Mbështetja e kauzës palestineze ka qenë një shtyllë e Republikës Islamike të Iranit, që nga revolucioni i vitit 1979. Irani e konsideron veten një shtet, që mbështet kauzat e myslimanëve në botë.
Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se Irani dyshohet se ishte bashkëpunëtor në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por shtuan se nuk kishte prova që mbështesin këtë pohim. SHBA-të paralajmëruan Iranin, që të mos përfshihej në konflikt, me qëllim që situata mos të përkeqësohet.
Izraeli dhe Palestina u përfshinë në një konflikt të madh në fundjavë. Hamasi vrau 900 izraelitë, ndërsa Izraeli po ashtu vrau mbi 580 palestinezë, në sulme me raketa./Zëri.ai/