
UKRAINË - Ukraina tha të martën se kishte arrestuar pesë ish-oficerë dhe oficerë aktualë të inteligjencës, për të cilët tha se punonin fshehurazi për Rusinë, si pjesë e një rrjeti spiunazhi me ndikim.
Kievi tha se burrat u kapën duke i dhënë informacion Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) në lidhje me vendet ushtarake të Ukrainës, fortifikimet e saj mbrojtëse, të dhënat personale dhe objektet strategjike të energjisë. "Shërbimi i sigurisë së Ukrainës neutralizoi një rrjet të fuqishëm agjentësh të drejtuar nga kundërzbulimi ushtarak i FSB-së, i cili vepronte në Ukrainë", tha shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës, në një deklaratë të martën.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës tha se pesë burrat – mes të cilëve është një ish-punonjës i inteligjencës ushtarake të Ukrainës dhe njësive të saj të inteligjencës së huaj, si dhe një agjentë aktualë rajonal të SBU-së – u arrestuan me dyshimin për tradhti.
“Të dyshuarit kanë kaluar informacione me rëndësi për Rusinë, një shtet që është agresor ndaj vendit tonë”, tha prokurori i përgjithshëm. Agjencia publikoi foto të burrave të arrestuar në faqet e saj në rrjetet sociale, por identitetet e të prangosurve nuk janë bërë të ditura për publikun. Ukraina ka arrestuar disa individë që pretendon se ishin spiunë të fshehtë rusë ose për kalimin e informacionit strategjik tek rusët, që nga pushtimi që ka bërë Moska ndaj Kievit në shkurt 2022./ZËRI/