VATIKAN-Papa Leoni XIV ka mbajtur meshën e parë të Krishtlindjes në rolin e kreut të Selisë së Shenjtë në mesnatë, duke mirëpritur mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Hyrja e Atit të Shenjtë u shoqërua nga himni tradicional “Noel”, i interpretuar nga Kori i Kapelës Sistine. Në Altarin qendror të Rrëfimit, Papa Leo XIV kremtoi meshën së bashku me rreth 250 klerikë të lartë kardinalë, peshkopë dhe priftërinj.
Në Krishtlindjen e tij të parë si Peshkop i Romës, Papa u shfaq nga Lozha e Bekimeve me mesazhin tradicional që çdo vit rikujton plagët e botës, nga Lindja e Mesme deri te “populli i martirizuar ukrainas”, e më gjerë në gjithë Evropën, që të mbetet “mikpritëse” dhe “besnike ndaj rrënjëve të saj të krishtera dhe historisë së saj”.
Mesazhin e Krishtlindjes “Urbi et Orbi”, Papa e nisi me vargjet e Yehuda Amichai: "Jo paqja e një armëpushimi, / as vizioni i ujkut dhe i qengjit, / por përkundrazi / si në zemër kur eksitimi mbaron / dhe mund të flitet vetëm për një lodhje të madhe. / (…) Le të vijë / si lulet e egra, / papritur, sepse fusha / ka nevojë për të: paqe e egër."
Papa Leoni XIV: Vëllezër dhe motra të dashur, që kur Fjala u bë mish, tani mishi flet, thërret dëshirën hyjnore për të na takuar. Fjala ka ngritur tendën e saj të brishtë midis nesh. Dhe si mund të mos mendojmë për tendat në Gaza, të ekspozuara për javë të tëra ndaj shiut, erës dhe të ftohtit , dhe ato të kaq shumë refugjatëve dhe personave të zhvendosur në çdo kontinent, ose për strehimet e improvizuara të mijëra njerëzve të pastrehë brenda qyteteve tona. Le të lutemi në mënyrë të veçantë për popullin martir ukrainas: uroj që të pushojë gjëmimi i armëve dhe palët e përfshira, të mbështetura nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për të dialoguar në një mënyrë të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe me respekt.Do të ketë paqe kur monologët tanë të ndalojnë dhe, të ushqyer nga dëgjimi, të biem në gjunjë para mishit të zhveshur të të tjerëve. Është një fuqi e vërtetë ajo e të bërit bij të Zotit : një fuqi që mbetet e varrosur për sa kohë që jemi të shkëputur nga të qarat e fëmijëve dhe brishtësia e të moshuarve, nga heshtja e pafuqishme e viktimave dhe melankolia e dorëzuar e atyre që bëjnë të keqen që nuk e kanë ndërmend.
Papa i uroi botës Krishtlindje të gëzuara në italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, polonisht, arabisht, kinezisht dhe latinisht./ZËRI