Bota

Kryebashkiaku i Londrës mbështet thirrjen për ndryshimin e ligjit për kanabisin

Raporti, i udhëhequr nga Lord Falconer, sugjeron heqjen e kanabisit natyral nga Akti për Keqpërdorimin e Drogave dhe klasifikimin e tij nën aktin për substancat psikoaktive, duke e trajtuar më shumë si çështje shëndetësore sesa penale

G.K
Kryebashkiaku i Londrës mbështet thirrjen për ndryshimin e ligjit
Sadiq Khan

BRITANI E MADHE-Një raport i publikuar së fundmi nga Komisioni i Londrës për Drogën, i cili mbështetet nga kryebashkiaku Sadiq Khan, bën thirrje për dekriminalizimin e posedimit të sasive të vogla të kanabisit për përdorim personal. Dokumenti, shkruan The Guardian, përmban 42 rekomandime për reformimin e qasjes së autoriteteve ndaj përdorimit të kësaj substance.

Raporti, i udhëhequr nga Lord Falconer, sugjeron heqjen e kanabisit natyral nga Akti për Keqpërdorimin e Drogave dhe klasifikimin e tij nën aktin për substancat psikoaktive, duke e trajtuar më shumë si çështje shëndetësore sesa penale. Sipas autorëve, ligji aktual për posedimin e kanabisit është “i tepërt” dhe praktikat si ndalimi dhe kontrolli ndikojnë në mënyrë joproporcionale tek komunitete të caktuara etnike dhe racore.

Përveç propozimeve për dekriminalizim, raporti thekson nevojën për edukim më të mirë, qasje më të lehtë në trajtimet shëndetësore dhe përmirësim të aksesit në kanabisin mjekësor.Lord Falconer u shpreh se qëllimi nuk është legalizimi, por shmangia e ndëshkimeve penale për përdoruesit e zakonshëm, të cilët shpesh stigmatizohen dhe penalizohen në mënyrë disproporcionale.

Nga ana tjetër, kritikët e raportit, përfshirë David Raynes nga Aleanca Kombëtare për Parandalimin e Drogave, paralajmërojnë se çdo lëvizje drejt dekriminalizimit mund të dërgojë sinjale të rrezikshme, veçanërisht për të rinjtë. Sadiq Khan deklaroi se është koha për një qasje më të drejtë, më të balancuar dhe të bazuar në prova shkencore, duke shtuar se kjo temë kërkon diskutim serioz dhe reformë. Megjithatë, qeveria britanike në nivel qendror nuk ka shfaqur ende gatishmëri për të ndryshuar legjislacionin ekzistues./ZËRI

Poll

MOS HUMB