
PRISHTINË – Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameroon ka mbërritur në Aeroportin e Kosovës, ku është pritur nga zv kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
‘David Cameron, në një vizitë një ditore në Kosovë, do të zhvillojë takim me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin, Albin Kurti dhe zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla’, thuhet në postimin në Facebook të ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Postimi i plotë i Ministrisë së Jashtme të Kosovës:
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron viziton Kosovën, pritet në aeroport nga
Zëvendëskryeministrja Gërvalla
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë, në një vizitë një ditore, ku do të zhvillojë takim me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin, Albin Kurti dhe zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar. Republika e Kosovës është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai.
Kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së.
Pas takimit dypalësh, zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron do t’iu adresohen medieve.
David Cameron ka qenë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e Ministrit të Jashtëm.
Cameroon takon presidenten. Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i rëndësishëm

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameroon. Në këtë takim u fol për raportet tepër të mira mes Britanisë dhe Kosovës, përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajonin tonë e më gjerë. Presidentja Vjosa Osmani falënderoi sekretarin Cameroon për mbështetjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve, përfshirë dhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Osmani ritheksoi se është e rëndësishme që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut. Osmani e informoi Cameroon-in për përpjekjet e Serbisë për destabilizim rajonal, duke i përmendur rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit. Po ashtu, Osmani gjeti rastin ta falënderojë Cameroon-in për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë. Osmani nënvizoi se, edhe pse Kosova përballet me agresione të Serbisë, është një shtet shembullor në respektimin e pakicave etnike në vend, duke pasur parasysh serbët e Kosovës. Ajo shtoi se Kosova aspiron të fuqizojë çdo qytetar të vendit, pa dallim etnik. /ZËRI/