
PRISHTINE- Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç që krahasonte anëtarët e grupit terrorist që sulmuan policinë në Kosovë, më 24 shtator, me komandantin e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, më herët është bërë në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një postim në rrjetet sociale shkruan se Vuçiç është i "obsesionuar" me Adem Jasharin, dhe se më 2 maj në Bruksel iu ka thënë në takim se Millan Rajdoviç, (i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit), do të ishte Adem Jashari i Serbisë.
POSTIMI I KURTIT:
Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.
Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen.
Por çfarë ndodhi në Kosovë më 24 shtator?
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi 8 të tjerë. Por aksioni duket se vazhdon edhe sot. Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviçit, duke u rreshtuar në kufirin e Jarinjës, por ende nuk dihet shkaku. Gjithashtu, mediat vendase raportojnë se edhe një helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri. Teksa ndërkombëtarët vëzhgojnë, Policia e Kosovës vazhdon "krehjen" e terrenit, në kërkim të gjurmëve të terroristëve. Janë gjetur armë dhe municione të tjera, por nuk ka persona të arrestuar. /Zeri.ai