KOSOVË-Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend. Dy kandidatë ishin të propozuar për president, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe Fatmire Kollçaku, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje. Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.
Ndryshimet e propozuara kushtetuese nuk kaluan në Kuvend dhe partia e kryeministrit Albin Kurti doli me kandidaten e dytë për president në çastin e fundit: Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Për ta filluar votimin për president, sipas ligjit, duhej të ishin të paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë, por opozita e braktisi sallën. Vetëm 66 deputetë të shumicës parlamentare morën pjesë në seancë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pati rrugëdalje tjetër pos ta ndërpriste seancën në mungesë të kuorumit. Ajo më pas njoftoi se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para skadimit të afatit për emërimin e tij.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk i kemi 2/3 e deputetëve”, tha kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.
Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.