
Bashkimi Europian po mobilizon menjëherë ndihmën urgjente energjetike për Ukrainën, pas sulmeve me raketa dhe dron të Rusisë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës në javët e fundit.
"Furnizimi me energji elektrike i Ukrainës ka pësuar dëme të konsiderueshme," tha Komisioni Europian në një deklaratë dhe BE-ja tani po mobilizon ndihmën urgjente energjetike në rrugën e saj drejt Ukrainës në përgjigje të kësaj krize.
Konkretisht, pas kërkesës së Ukrainës për ndihmë, Austria, Gjermania, Suedia dhe Holanda ofruan 157 gjeneratorë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Për të forcuar më tej infrastrukturën energjetike të Ukrainës, BE-ja ka vendosur gjithashtu 10 gjeneratorë të energjisë elektrike me fuqi të lartë (1 MW) nga rezervat e saja stratejike, përmes mekanizmit evropian të mbrojtjes civile, rescEU, me vlerë 3.57 milionë euro.
Secili prej këtyre gjeneratorëve të fuqishëm 1 MW është në gjendje të sigurojë energji elektrike për një spital të mesëm në kushte emergjence. Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Jans Lenarcic, tha:
"Plani i Rusisë për të zhytur Ukrainën në errësirë nuk do të ketë sukses. BE-ja po punon gjatë gjithë kohës për të ruajtur furnizimin me energji elektrike të Ukrainës. Ne po dërgojmë një grup të ri gjeneratorësh në Ukrainë nga rezervat tona të rescEU, të cilat tashmë janë provuar të jenë një mjet kritik për t'iu përgjigjur nevojave urgjente në Ukrainën e shkatërruar nga lufta”./ZËRI