
PRISHTINË- Pas një operacioni kontrolli në veri të vendit, Policia e Kosovës mbylli nëntë filiale të Postës së Serbisë. Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) këto zyra nuk kishin licencë për të operuar në treg. Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë pagat dhe pensionet. Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme duke ndaluar dinarin serb.
Mbyllja e zyrave postare nxiti reagimin e ashpër të Beogradit zyrtar. Menjëherë autoritetet atje dolën në një deklaratë se qeveria e Kosovës po tentonte të nxiste konflik.
Në mbrojtje të saj, në një njoftim për mediat Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se në të kaluarën janë bërë përpjekje që çështja e operimit të postës të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbinë Bruksel, por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në Marrëveshjen për Telekomunikacion. Ndaj edhe u desh të vepronin pasi asnjë prej bizneseve nuk ishte i regjistruar dhe nuk kishte një numër fiskal.
I menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve të Beogradit.
"Me veprimet e fundit në veri të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit po synon të provokojë një konflikt të hapur. Banditët e tij në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, pushtuan hapësirat e Postës në Leposaviç, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok."
Kurse Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, tha se heqja e shërbimeve postare, pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe në këto zona.
"Edhe një herë i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë urgjentisht dhe ta ndalojë Kurtin të përpiqet të dëbojë serbët nga vatrat e tyre, sepse është detyrë e tyre të mbrojnë të gjithë qytetarët, përfshirë serbët dhe të mos lejojnë paqëndrueshmëri rajonale,”-kërkoi Lista Srpska.
Nuk vonoi shumë dhe ndërkombëtarët reaguan. Ambasada Amerikane në Kosovë doli me një deklaratë zyrtare ku shprehej “thellësisht e zhgënjyer” me veprimet e qeverisë në Veri të Kosovës.
STATEMENT FROM THE EMBASSY OF THE UNITED STATES TO THE REPUBLIC OF KOSOVO,
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) August 5, 2024
August 5, 2024
For Immediate Release
The U.S. government is deeply disappointed by the unilateral, uncoordinated actions taken by the Government of Kosovo against branches of Serbian post offices in the… pic.twitter.com/wEDDA6R0wA
“Veprimet e pa bashkërenduara i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë, në të cilën i bëhet thirrje qeverisë së Kosovës “që t’i jap fund çdo veprimi të mëtejshëm të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Edhe Bashkimi Evropian nuk ishte më pak i ashpër. BE i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje.
Kosovo: Closure of Post of Serbia offices in the north ???? unilateral & uncoordinated step by ????????authorities that violates Dialogue agreements. Such actions cannot offer solutions to any issue that belongs to the ???????? Dialogue. Kurti's govt has 2reconsider it. https://t.co/rnR0o7s0m8
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) August 5, 2024
“Veprimet e njëanshme dhe të pa bashkërenduara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti,”- thuhet në reagimin e BE-së.
Edhe pse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve, të dyja palët patën rënë dakord që për to të diskutohej në një fazë të mëvonshme. Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./ZËRI