
MAQEDONIA E VERIUT- I nominuari për kryeministër i Maqedonisë së Veriut, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se është e drejtë e tij njerëzore ta quajë vendin e tij "Maqedoni" dhe u bëri thirrje politikanëve grekë që të mos sillen si talibanët në lidhje me Marrëveshjen e Prespës.
Në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Maqedonisë, Mitskoski iu përgjigj reagimeve të Athinës zyrtare dhe kërkesës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, që në samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington të mund të ngrihet çështja e shkeljes së Traktatit nga Shkupi, shkruajnë, mediat vendase.
"Unë supozoj se është për shkak të zgjedhjeve. Nuk pres qëndrim dhe sjellje talebane nga asnjë politikan, si dhe censurim të të drejtave themelore të njeriut. Gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendin kushtetues, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Por është e drejta ime njerëzore, e garantuar me shumë konventa, është e drejta e lirisë së shprehjes dhe fjalës, nëse dua të përmend fundin apo një pjesë të atij emri, në çdo fjalim që bëj është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedonia. Nëse çështja ngrihet në samitin e NATO-s në korrik, mesazhi im do të jetë se: Unë do të doja të ndërtoj ura bashkëpunimi me fqinjët tanë. Maqedonia dhe njerëzit janë paqësorë dhe mikpritës. Kështu sillemi dhe unë pres që fqinjët të sillen kështu – të bashkëpunojnë dhe të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore”,- tha Mickoski.
Para tij, edhe presidentja e vendit Siljanovska Davkova në ceremoninë e betimit në Kuvendin e Shkupit, e ndryshoi betimin dhe në vend që të betohet si presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke mos përmendur “Veriu”. Ajo u betua si presidente e “Republikës së Maqedonisë”, duke shkelur jo vetëm Marrëveshjen e Prespës por edhe Kushtetutën e vetë vendit të saj. Kështu shkaktoi krizën e parë me Greqinë./ZËRI