
BEOGRAD- Një mister ka mbërthyer Serbinë! Një vajzë 2-vjeçare, e quajtur Danka, është zhdukur prej disa ditësh tashmë nga banesa ku jetonte me prindërit e saj në qytetin Bori. Alarmi për zhdukjen e saj ka ngritur në këmbë vendin; helikoptera, ushtarë, banorë të zonës, minatorë të zonës, kamera termale, të gjitha mjetet që posedon shteti po përdoren për gjetjen e saj, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë. Edhe pse ishin ata të parët që dhanë alarmin, dyshimi i parë i autoriteteve është tek prindërit e 2-vjeçares. Ndaj edhe sot, i ati, iu nënshtrua një testi poligrafik, të cilin e kaloi me sukses, por e ëma po ngjall dyshime.
Nëna e saj Ivana po i kalon ditët në stacionin policor, ku në katër raste është marrë në pyetje për orë të tëra për të kujtuar të gjitha detajet e rëndësishme që kanë të bëjnë me zhdukjen e vajzës së saj. Për hetuesit është i çuditshëm fakti se ditën kur e mitura është zhdukur, ajo e ka nxjerrë shëtitje bashkë me djalin më të madh, edhe pse binte një shi i madh. Gjithashtu e ëma, ka fshirë mesazhe të shumta nga telefoni i saj ditën e zhdukjes të së bijës, ndaj aparati i është sekuestruar dhe hetuesit po përpiqen që të rikthejnë bisedat e fshira.

Duke qënë se rasti i zhdukjes ka bërë bujë edhe në rajon, në Bosnje u arrestuan tre persona që kërkuan 50 mijë euro shpërblim me pretendimin se e kishn gjetur të miturën.
Pavarësisht mashtrimeve dhe pyetësorit që po i nënshtrohet nëna e të miturës, në terren vazhdon kërkimi. Helikopterët ende fluturojnë sipër zonës duke përdorur kamera termike me shpresën se do ta gjejnë të gjallë të miturën. Siç njoftoi dje “Blic”, sot zjarrfikësit janë gati të inspektojnë të gjitha sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimeve që të çojnë në liqenin e Borit, më pas, do të kontrollojnë edhe në liqen nëse ka shenja të të miturës./ZËRI