
PRISHTINË – Institucionet në Prishtinë dyshojnë se në ambientet e zyrave të Odës së Mjekëve të Kosovës, në ndërtesën e Instituteve Paraklinike në QKUK, ka mjete shpërthyese. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 14:00 kemi pasur informacione për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik”, tha Borovci.
Ai tha se në vendngjarje janë ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën, deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e Policisë.
“Menjëherë pasi kemi marrë informacione, policia ka dalë në vendngjarje dhe ka marrë të gjitha veprimet e duhura, për t’u siguruar se nuk do të ketë ndonjë shpërthim të papritur. Kështu, është evakuuar personeli dhe është siguruar perimetri i nevojshëm”, ka thënë më tej Borovci.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës theksoi se në vendngjarje kanë arritur edhe ekipet e specializuara së policisë, me qëllim që të menaxhohen mjetet shpërthyese. Mediat e Kosovës raportojnë se ka dyshime se në QKUK ndodhen disa mjete shpërthyese të vjetra.
Ndërkaq, ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, që thotë se mjetet shpërthyese janë të kohës së paraluftës.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm. Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese. Mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Policia e Kosovës: Mjetet e dyshuara shpërthyese që janë gjetur në QKUK janë materiale shkollore
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se mjetet e dyshuara shpërthyese, që janë gjetur në hapësirat ku është vendosur, Oda e Mjekëve të Kosovës në QKUK, janë materiale shkollore.
“Informacion shtesë: Rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendgjarjes nga mjetet e dyshuara. Policia është tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe materialet e gjetura nuk paraqesin rrezik, pasi janë materiale shkollore”, tha Borovci.
Sipas tij, mjetet shkollore dyshohet se janë nga koha përpara luftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve./ZËRI/