
UASHINGTON- Dhjetë vjet më parë Donald Trump financoi fushatën e Kamala Harris kur ajo po kandidonte për postin e kryeprokurores së Kalifornisë.
Siç raportojnë mediat amerikane, të cilat kishin akses në të dhënat e kohës, ish-presidenti amerikan i bëri dy donacione gruas që me shumë gjasa do të bëhet sfiduesja e tij në garën për Shtëpinë e Bardhë, pas tërheqjes së Joe Biden.
Sipas të dhënave ai dhuroi rreth 6 mijë dollarë për të. Shuma u dhurua me dy këste me Trump, i cili u regjistrua si një qytetar privat. Në vitin 2011 ai dhuroi 5 mijë dollarë dhe në vitin 2013 një mijë.
Sipas të dhënave, vajza e manjatit, Ivanka Trump, gjithashtu i dhuroi 2000 dollarë për Harris në vitin 2014. Kjo do të thotë, një vit përpara se Donald Trump të kandidonte për herë të parë për president.
Kamala Harris ishte prokurore e përgjithshme e Kalifornisë nga viti 2011 deri në vitin 2017, përpara se të zgjidhej në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Mediat amerikane zbuluan gjithashtu se Harris nuk e arkëtoi personalisht çekun e Trump, duke dhuruar vite më vonë të gjithë shumën në një qendër bamirsie në Amerikën Qendrore.
Washington Examiner njoftoi në vitin 2019 se ish-presidenti amerikan deklaroi se dhuroi 5 mijë dollarë për avokatin e Oakland me kërkesë të prokurorit të përgjithshëm të shtetit të Nju Jorkut, Eric Schneiderman. Ky i fundit ndër të tjera më pas u akuzua edhe për ngacmime seksuale ndaj femrave të ndryshme.
Në vitin 2020, këshilltarja e lartë e Trump, Katrina Pierson, zbuloi për mediat se presidenti kishte dhuruar donacione për kandidatët në të gjithë spektrin. Dhurimi për Harris, konkretisht, u bë me shpresën se, "si një grua me ngjyrë, ajo mund të shuante akuzat për racizëm" ndaj manjatit. Historia e donacioneve të Trump për Kamala Harris dhe kandidatë të tjerë demokratë u rishfaq për herë të parë në vitin 2020, pasi Joe Biden zgjodhi ish-prokuroren si zëvendëse të tij. /ZËRI/