
TURQI- Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ripërsëriti qëndrimin se askush nuk mund ta detyrojë vendin e tij që ta vendosë Hamasin në listën e organizatave terroriste. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Ankara, lideri turk u shpreh se Turqia është një vend që ka kontakte të ngushta me drejtuesit e Hamasit dhe i mbështet ata me vendosmëri.
“Askush nuk mund të na bëjë të kualifikojmë Hamasin si një organizatë terroriste. Turqia është një vend që flet hapur me udhëheqësit e Hamasit dhe i mbështet ata me vendosmëri’, u shpreh Erdogan.
Ai madje krahasoi Netanyahu dhe administratën e tij, me Hitlerin, Musolinin dhe Stalinin. Erdogan ka qenë një nga kritikët më të ashpër të Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza, e cila filloi pas një sulmi nga Hamasi në disa qytete kufitare izraelite ku humbën jetën të paktën 1160 persona./ZËRI