
KOSOVË- Nga sot qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen. Reagimet për ngjarjen historike ka patur jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me ngjarjen historike të liberalizimit të vizave, tha se deri më tani popullit të Kosovës i ishte ndaluar padrejtësisht liria e lëvizjes.
"Me përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane”,- tha ajo
Ndërkohë urimi i parë për Kosovën e cila nga sot çdo qytetar i saj mund të udhëtojë pa viza në vende të zonës Shengen erdhi nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
"Ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Europian. Gëzuar Kosovë, gëzuar, shëndet e gjithçka ju do zemra shqiptarëve e shqiptareve të Kosovës”- shkruan Rama në një postim në facebook.
Presidenti Bajram Begaj gjithashtu ka uruar përmes rrjeteve sociale qytetarët e Kosovës, të cilët prej kësaj të hëne lëvizin pa viza drejt 27 vendeve të Bashkimit Evropian. Begaj uron që ky hap të përshpejtojë të gjithë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
“Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët nga sot udhëtojnë pa viza në Evropë! Kjo është një arritje e merituar, por e vonuar. Shpresoj që ky hap të përshpejtojë të gjithë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, përfundon reagimi i Begajt.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave gjatë ditës së sotme. Meta, përmes rrjeteve sociale, shprehet se kjo arritje e Kosovës është krejtësisht e merituar.
“Viti 2024 ka nisur në mënyrën më të shkëlqyer për qytetarët e Kosovës, pasi nga sot ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen. Liberalizimi i vizave është një arritje plotësisht e merituar për Kosovën. Shpreh urimet më të përzemërta për qeverinë e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj”, u shpreh Meta.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij me anë t një postimi në rrjete sociale për liberalizimin e vizave për Kosovën. Berisha thotë se kjo është një arritje e madhe plotësisht e merituar për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Postimi i plotë:
Një arritje për t’u përshëndetur.
Të dashur miq, Iiberalizimi i vizave sot me 1 janar është një arritje e madhe plotësisht e merituar për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Prej vitesh Kosova ka plotësuar çdo kriter për këtë vendim realisht historik.
Por kjo është një goditje e rëndë dhe e merituar për argatin, puthadorin e Vuçiçit, që me urdhër të këtij të fundit do të bëhej i vetmi qeveritar në rajon dhe Europë që pafytyrësisht si armik i egër i qytetarëve të Kosovës dhe lirive të tyre kërcënonte e lobonte për anulimin e këtij vendimi dëshprimisht edhe pasi ky vendim ishte votuar në Parlamentin Europian.
Një urim të përzemërt për qytetarët e Kosovës për kartolinën më të bukur për vitin 2024 që morën sot nga BE. Turpi mbuloftë armikun e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, argatin e Beogradit, shqipfolsin albanofob Edivin Kristaq Rama. Rroftë Kosova!"
Nga dita e sotme 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt 27 vendeve të zonës Schengen të Bashkimit Evropian. Koha e qëndrimit është e mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Shengen. Gjithashtu Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim sqaroi se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj./ZËRI/