
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar ditën e sotme, pas deklaratës të bërë nga ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, se Kosova po rrezikonte partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ta hequr dinarin nga qarkullimi në Kosovë.
Kurti, duke folur përpara gazetarëve në Prizren, deklaroi se partneriteti me SHBA-të është tepër i rëndësishëm, duke nënkuptuar se marrëdhëniet me Uashingtonin nuk janë të rrezikuara nga vendimi i marrë për ndalimin e dinarit serb në Republikën e Kosovës.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti.
Ndërkaq, O’Brien tha dje në një intervistë për Zërin e Amerikës se SHBA mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse Prishtina vazhdon që të marrë vendime, pa u konsultuar me të.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien. Pyetur disa herë nga gazetarët për deklaratën e O’Brian, Kurti u shpreh se Kosova asesi nuk rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), futi në fuqi më datë 1 shkurt rregulloren e re, sipas së cilës, euroja do të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në tërë territorin e Republikës. Kështu, u shpërfillën thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për të shtyrë zbatimin e këtij vendimi. Gjithashtu, për vendimin, ka pasur pakënaqësi edhe nga serbët në Kosovë./ZËRI/