Bota

Sulmohet GPS i avionit të von der Leyen, dyshime për ndërhyrje nga pala ruse, Kremlini mohon pretendimet

BE-ja nuk dha detaje të mëtejshme, por zëdhënësi tha se incidenti do të përforconte “angazhimin e palëkundur të bllokut për të rritur aftësitë mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën” kundër pushtimit tre-vjeçar e gjysmë të Rusisë.

zh.ll
Sulmohet GPS i avionit të von der Leyen, dyshime për ndërhyrje
Ursula von der Leyen

BRUKSEL- Sistemi GPS i aeroplanit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u bllokua gjatë udhëtimi të së dielës për në Bullgari, tha të hënën një zëdhënës i BE-së, duke shtuar se dyshohet për ndërhyrje ruse, raporton Reuters.

"Ne mund të konfirmojmë se ka pasur bllokim të GPS-it, por aeroplani u ul në mënyrë të sigurt në Bullgari. Kemi marrë informacion nga autoritetet bullgare se ata dyshojnë se kjo ndodhi për shkak të ndërhyrjes së hapur nga Rusia", tha zëdhënësi.

BE-ja nuk dha detaje të mëtejshme, por zëdhënësi tha se incidenti do të përforconte “angazhimin e palëkundur të bllokut për të rritur aftësitë mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën” kundër pushtimit tre-vjeçar e gjysmë të Rusisë.

Në një deklaratë, qeveria bullgare tha se sinjali GPS humbi ndërsa avioni i von der Leyen iu afrua qytetit jugor të Plovdivit, duke bërë që kontrollorët e trafikut ajror të kalonin në sisteme navigimi tokësore për të siguruar një ulje të sigurt. Thuhej se von der Leyen kishte udhëtuar me një aeroplan të marrë me qira nga Komisioni Evropian.

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i Kremlinit. Zëdhënësi i Presidentit rus Dmitry Peskov ka përgënjeshtruar pretendimin se Rusia ishte e përfshirë në ndërhyrjen në navigimin e aeroplanit që po udhëtonte Ursula von der Leyen.

"Informacioni juaj (në lidhje me përfshirjen e supozuar të Rusisë) është i pasaktë", tha zëdhënësi i Kremlinit për "Financial Times".

Vitin e kaluar Estonia akuzoi Rusinë për bllokimin e pajisjeve të navigimit GPS në hapësirën ajrore mbi shtetet baltike. Finnair u detyrua të devijonte dy fluturime përsëri në Helsinki pasi ndërhyrja e GPS pengoi afrimin e tyre në Tartu në Estoninë lindore.

Bllokimi i sinjaleve GPS përdor një pajisje transmetimi frekuence për të bllokuar ose ndërhyrë në komunikimet radio, zakonisht duke transmetuar sinjale nga toka që janë më të forta se sinjalet satelitore. Kur një sistem bllokohet, mund të duhet të fiket për kohëzgjatjen e fluturimit, gjë që mund të shkaktojë stres dhe vonesa për ngritje dhe ulje, sepse procedura të caktuara kërkojnë që GPS të funksionojë./ZËRI

Poll

MOS HUMB