
IZRAEL- Dhjetëra palestinezë u vranë dhe u plagosën sot kur Izraeli shënjestroi një autokolonë me ambulanca që po dilte nga spitali Al Shifa në qytetin e Gazës. Sipas raportimeve në CNN, 50 persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka pohuar se dhjetëra janë vrarë dhe plagosur në shënjestrimin e një autokolone ambulancash që po transportonin të plagosurit rëndë në Gaza. Ndërkohë në një deklaratë, Izraeli tha se kishte në shënjestër ambulancën sepse po përdorej nga Hamasi.
“Një avion IDF goditi një ambulancë që u identifikua nga forcat tona pasi po përdorej nga terroristët e Hamasit. Një numër i operativëve terroristë të Hamasit u vranë në sulm”, thuhet në deklaratën e forcave ushtarake izraelite.
Kujtojmë se nga fillimi i kundërsulmit izraelit në Gaza, kjo nuk është hera e parë që shënjestrohet një spital. Të paktën 500 njerëz janë vrarë në një sulm ajror izraelit ndaj spitalit Al Ahli.