
PALERMO- Kamerat e sigurisë në brigjet e Palermos karë regjistruar momentin kur jahti lukzos “Bayesian” u fundos në orët e para të mëngjesit të së hënës. Sipas mediave italiane, videoja është marrë nga kamera e një vile 200 metra larg vendit, e cila tregon jahtin teksa fundoset përballë Porticello.
“Në vetëm gjashtëdhjetë sekonda mund të shihni që anija zhduket. Rastësisht, pasi u publikua lajmi, pashë kamerat. Më thanë fëmijët e mi. Nga rreth njëzet kamerat e vendosura në shtëpi, vetëm njëra nuk u ndikua nga era dhe shiu. Ju mund ta shihni shumë mirë se çfarë po ndodhte”, tha pronari i vilës.
Në të njëjtën kohë, po kryhen kërkime intensive për gjetjen e të zhdukurve. Ekipet e shpëtimit kanë paralajmëruar se 24 orët e ardhshme janë "kritike" nëse ka ndonjë shpresë për të gjetur dikë të gjallë, nëse ata disi mund t’i kenë shpëtuar fundosjes së jahtit, ose janë në të, por në një dhomë ku mund të ketë ajër nëse ka qenë e bllokuar dhe nuk ka mundur të futet uji brenda.
Rojet bregdetare italiane thonë se personat e zhdukur mund të jenë të bllokuar brenda jahtit. Zëdhënësi Vincenzo Zagarola tha se ata mund të mos kenë pasur kohë të zbresin nga anija pasi ajo u fundos shumë shpejt.
Sipas BBC, një nga mjekët që po trajtonte të mbijetuarit tha më herët sot se jahti u përmbys "brenda pak minutash". Në të njëjtën kohë, një nga zhytësit tha për mediat italiane se jahti ishte “praktikisht i paprekur” dhe po qëndronte në fund të detit.
Një zëdhënës i brigadës italiane të zjarrfikësve tha se zhytësit po kërkonin mënyra alternative për të hyrë brenda anijes pasi mobiljet bllokonin hyrjen në kabina.
Sipas BBC, pasagjeri i gjashtë i zhdukur pasi anija Bayesian u mbyt në Sicili është Nedda Morvillo.
Morvillo, është një dizajnere bizhuterish dhe gruaja e një pasagjeri tjetër të zhdukur, Chris Morvillo. Ai është avokat në firmën ligjore Clifford Chance.
Katër personat e tjerë që janë ende të zhdukur janë:
- Manjati britanik i teknologjisë Mike Lynch,
- vajza 18-vjeçare e Lynch, Hannah Lynch,
- Jonathan Bloomer, kryetar i Morgan Stanley Bank International,
- Judy Bloomer, gruaja e Jonathan Bloomer. /ZËRI