PALERMO- Zhdukja e manjatit britanik, Mike Lynch, zbardhi ngjarje të tjera tragjike në lidhje me njerëzit rreth tij. Sipas BBC, ortaku i Lynch, i cili rezulton i zhdukur në brigjet e Palermos në Itali, vdiq të shtunën pasi u përplas nga një makinë. Stephen Chamberlain, 52 vjeç, së bashku me Lynch ishin të pandehur në një gjyqin për mashtrim në SHBA.
Ata të dy u liruan nga akuzat dhe u shpallën të pafajshëm. Kjo ishte dhe arsyeja pse Lynch ishte në atë jaht, të festonte pafajësinë. Ata u akuzuan për mashtrim pas shitjes me një vlerë prej 11 miliardë dollarësh të gjigantit të softuerit Autonomy. Chamberlain ishte ish-zëvendëspresidenti i financave në Autonomy.

Autoritete bëjnë me dije se Chamberlain vdiq pasi u përplas nga një makinë teksa po vraponte në Cambridgeshire. Ndërsa Lynch dhe vajza e tij besohet të kenë humbur jetën, pasi jahti i tyre luksoz u mbyt dhe ende nuk ka asnjë shenjë të tyre.
Kërkimet për të zhdukurit vijojnë ende. Këtë të martë u bë e mundur nxjerrja e një trupi të pajetë, që i përket kuzhinierit të jahtit.
6 persona, përfshirë biznesmenin Lynch, i konsideruar si “Bill Gates” i Britanisë, së bashku me vajzën e tij 18-vjeçare, vijojnë të mbeten të zhdukur.

Jahti 56 metra i gjatë, i quajtur Bayesian, besohet se u godit nga një tornado, i cili u përmbys dhe u fundos në shtratin e detit. Nga 22 persona që ndodheshin në bord, 15 prej tyre, përfshirë bashkëshorten e Lynch dhe një foshnjë, arritën që të shpëtoheshin.
Në mesin e të zhdukurve janë gjithashtu kryetari i Morgan Stanley International Bank, Jonathan Bloomer dhe avokati i Clifford Chance, Chris Morvillo. Kërkimet për ta ende vijojnë, por shpresat se ata kanë mbijetuar janë të pakta. /ZËRI